Editorial

Rastet po rriten, por autoritetet nuk e dinë nëse të infektuarit ishin të vaksinuar apo jo

Të martën u raportua se janë infektuar 43 qytetarë nga Covid-19, pas një periudhe njëmujore me shifra të ulëta që numëroheshin me gishtat e dorës. Gjysma e rasteve ishin në qytetin e Tiranës, ndërkohë rastet e tjera ishin: 4 raste në Has, Elbasan, 3 raste në Durrës, Lezhë, 2 raste në Lushnje, 1 rast në Shkodër, 1 në Mallakastër. Gazeta “Si” pyeti autoritetet shëndetësore se sa nga këta ishin të vaksinuar. Por asnjë nuk kishte informacion.

Shqipëria sot nuk ka problem vaksinat por njerëzit të cilët i refuzojnë. Mosha ka zbritur deri në 18 vjeç dhe nuk ka asnjë kufizim: Kush kërkon të bëjë vaksinë, autoritet i përgjigjen. Por mesa duket ecuria nuk ka qenë e mirë. Rritja e numrit të të infektuarve ishte një rast i mirë për Ministrinë e Shëndetësisë që paraqet shifrat. Kur ishin pesë të shtruara në spital në datën 12 korrik, ISHP dhe Ministria e Shëndetësisë thanë se asnjë nga të infektuarit nuk ishte i vaksinuar. Mesazhi ishte i qartë: Vaksinohuni që të mos përfundoni në spitale. Edhe sot Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se rritja e rasteve do të rrisë numrin e qytetarëve që mund të shtrohen në spitale. Ndaj vaksina është një përgjigje e mirë kundër problemit. Por sot fatkeqësisht kur numrat (dje) u rritën me hov, askush nga autoritet nuk diti të thotë se a ishin të vaksinuar qytetarët e zyrtarizuar si të infektuar, megjithëse informacioni është e lehtë për t'u llogaritur. Në e-Albania janë emrat e të vaksinuarve dhe në kartelat e spitaleve janë emrat e të shtruarve. Kryqëzimi i të dhënave jep shumë shpejt një përgjigje.

Qytetarët kanë në nevojë të dinë tani: A shtrohesh në spital nëse ke bërë vaksinë? Ose ndryshe: A ia vlen të bësh vaksinë sepse të mbron nga përkeqësimi i shëndetit kur infektohesh nga Covid-19? Autoritet duhet të japin përgjigje sa më shpejt, në këtë kundërt, doza e refuzimit ndaj vaksinës do të rritet. Nuk mund të paguhet dy herë kosto e paaftësisë së menaxhimit të pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë