Politike

Raporti S&P, Tabaku: Qeveria keqpërdori buxhetin

Partia Demokratike vlerëson se raporti i fundit i Agjencisë  Ndërkombëtare të Vlerësimit, Standard & Poor’s evidenton borxhin e lartë prej thuajse 80% të PBB-së, si dhe nxjerr në pah problemet strukturore të qeverisë.

“Arka e shtetit shqiptar mbledh të ardhura sa 26% e PBB-së, vendi me të ardhurat më të ulëta në rajon, me një ndihmë ekonomike reale sa 0.85% e PBB-së, që nuk i shërben ekonomisë.

Ndihma është e pamjaftueshme, pasi buxheti i shtetit është keqpërdorur me PPP apo investime, që janë jo efiçente dhe janë kthyer në barrë.

Problematika të tilla vazhdojnë të jenë të pranishme dhe në projektet e radhës të qeverisë Rama, me PPP-të e radhës si fjala vjen: rruga Milot-Fier e fryrë disa herë, ndërkohë që detyrimet e prapambetura janë rritur dhe çdo shpenzim jetik është pezulluar”, tha Jorida Tabaku.

Ajo vëren se  S&P nuk ka dhënë vlerësim negativ për asnjë nga vendet që ka rishqyrtuar.

“Ajo ka paralajmëruar një qeveri që ka keqpërdorur buxhetin dhe ka rritur rrezikun nga PPP-të. Me një defiçit fiskal në rritje, borxh publik 80% e PBB, dhe me rrezikun fiskal të PPP, situata është më e errët. Qeveria nuk ka as ndjeshmërinë dhe as vizionin për të ndërmarrë reforma reale strukturore.

Sot ekonomia ka nevojë për frymëmarrje, ka nevojë për ndryshim, ka nevojë të punojë për shumicën e shqiptarëve e jo për pakicën, ka nevojë për një reformë tërësore që qeveria në ikje nuk e bëri dot kurrë, madje as në fillimet e saj!

Për këtë arsye, plani i Partisë Demokratike është për një taksë të sheshtë që të ulë informalitetin, të reduktojë pabarazinë dhe të vlerësojë punën e ndershme!”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë