Ne rrjet

Raporti / Plani i Jair Bolsonaros për një grusht shteti në Brazil (përfshinte edhe vrasjen e presidentit Lula)

Gazeta Si - Policia federale e Brazilit bëri publik një raport prej 884 faqesh të martën që mbyll dy vjet hetime për tentativën e dyshuar për grusht shteti në fund të vitit 2022, për të cilin akuzohet edhe ish-presidenti Jair Boslonaro.

Raporti thotë se Bolsonaro ndihmoi në planifikimin dhe organizimin e grushtit të shtetit dhe se ai kishte "njohuri të drejtpërdrejtë" për operacionet me të cilat ata donin ta kryenin atë.

Me të akuzohen edhe 36 persona të tjerë, mes të cilëve ushtarë, drejtues të forcave speciale dhe eksponentë të ekstremit të djathtë brazilian.

Plani supozohej të bllokonte tranzicionin demokratik pas fitores në zgjedhjet presidenciale të kundërshtarit të tij, Luiz Inácio Lula da Silva dhe nuk u realizua vetëm sepse shumica e udhëheqësve ushtarakë të vendit nuk e mbështetën atë për shkak të "rrethanave që ishin jashtë kontrollit" të Bolsonaros, shkruan raporti.

Sipas akuzës, ish-presidenti është vënë në dijeni edhe për planin për të burgosur ose vrarë Lulën, zëvendëspresidentin e tij Geraldo Alckmin dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes.

Hetimi bazohet në dëshmi, urdhra kontrolli, përgjime, dokumente financiare dhe vendndodhje të celularëve.

Projekti kriminal i rindërtuar nga policia federale filloi në vitin 2019 me diskreditimin e institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor: objektivi ishte krijimi i kontekstit për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve në rast humbjeje.

Kur kjo hipotezë u materializua, një plan për të bllokuar tranzicionin mori formë, ndërsa mijëra mbështetës të Bolsonaros sulmuan institucionet braziliane më 8 janar 2023: Parlamenti, Gjykata e Lartë dhe zyra presidenciale në Brazilia, kryeqyteti i Brazilit, u sulmuan.

Një nga momentet qendrore të komplotit, thotë raporti, ishte një takim i thirrur nga Bolsonaro më 15 dhjetor 2022.

Të ftuar ishin gjenera-lmajori i ushtrisë, Marco Antônio Freire Gomes, komandanti i Forcave Ajrore Carlos de Almeida Baptista Júnior, komandanti i Marinës së Admiralit Almir Garnier Santos dhe gjenerali rezervist Mario Fernandes, i cili drejtonte forcat speciale të quajtura "fëmijët pretos" (djem me ngjyrë), njësi e forcave speciale që merren me luftëra jo-konvencionale, kundër terrorizmit, veprime të fshehta.

I pranishëm në takim ishte ministri i Mbrojtjes i Bolsonaros, Paulo Sérgio Nogueira de Oliveira, i cili mbështeti projektin.

Sipas prokurorisë, në atë takim Bolsonaro informoi krerët e forcave të armatosura për planin e grushtit të shtetit, me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të vendosur rregulla që supozohej të kufizonin demokracinë në vend.

Ai do të kishte kërkuar mbështetjen e tyre dhe do të kishte marrë vetëm atë të Garnier Santos, të Marinës (tani në pension dhe nën hetim me Bolsonaron).

Raporti i policisë federale tregon gjithashtu se si gjashtë njësi operacionale me aftësi të ndryshme, ishin përcaktuar për të kryer grushtin e shtetit: dezinformim dhe sulm ndaj sistemit zgjedhor; rekrutimi i forcave ushtarake për projektin; seksioni ligjor; mbështetje operacionale; inteligjencë paralele; Njësia operative për zbatimin e masave shtrënguese ndaj kundërshtarëve.

Kishte gjithashtu një plan eksfiltrimi ushtarak, pra arratisje jashtë vendit, që do të përdorej nga Bolsonaro në rast të dështimit të grushtit të shtetit.

Presidenti aktual, Injacio da Silva Lula

Për më tepër, Bolsonaro do të kishte qenë plotësisht i vetëdijshëm për të ashtuquajturin "operacioni jeshile-verdhë” (nga ngjyra e flamurit brazilian) të zhvilluar nga gjenerali Mario Fernandes dhe që do t'u besohej “fëmijëve-pretos”.

Plani parashikonte neutralizimin e tre kundërshtarëve kryesorë politikë, përkatësisht Lula, Alckmin dhe de Moraes, duke i burgosur ose vrarë.

Për realizimin e këtij skenari të dytë u vlerësuan mundësi të ndryshme: sulme me armë zjarri (nga një distancë e shkurtër ose e gjatë), sulme me eksploziv, helmim në një aktivitet publik.

Sipas policisë federale, operacioni më i avancuar ishte ai kundër Moraes: gjashtë burra nga “fëmijët-pretos” kishin kryer aksione pranë shtëpisë së gjyqtarit dhe Gjykatës së Lartë.

Operacioni u bllokua më 15 dhjetor kur Bolsonaro nuk mori mbështetjen e shumicës së udhëheqësve të ushtrisë.

Pas mbylljes së hetimeve, Prokurori i Përgjithshëm brazilian, Paulo Gonet do të duhet të vendosë nëse do ta dërgojë të akuzuarin në gjyq apo do të mbyllë hetimet: 36 personat e përfshirë rrezikojnë një dënim nga 12 deri në 28 vjet burg.

Bolsonaro gjithmonë ka hedhur poshtë çdo akuzë për grusht shteti ("një fjalë që nuk ekziston në fjalorin tim") dhe pretendon se i gjithë hetimi është rezultat i persekutimit politik.

Duke qenë se nuk është më president, Bolsonaro është hetuar edhe për çështje të tjera: shpërdorim të bizhuterive të marra si dhurata nga qeveritë e huaja dhe falsifikimin e dokumenteve të vaksinimit kundër Covid-19.

Për më tepër, në qershor 2023, Gjykata e Lartë Zgjedhore e Brazilit, gjykata më e lartë që merret me çështjet zgjedhore, e shpalli atë të papërshtatshëm për tetë vjet, pra edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për vitin 2026, pasi ai ishte përgjegjës për shpërdorimin e pushtetit dhe përhapjen e informacioneve të rreme, dy shkelje të ligjeve zgjedhore.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë