Rend dhe Ligj

Raporti, Llalla e pranoi fajësinë dhe pret dënimin nga SPAK

Megjithëse Adriatik Llalla nuk pranon fajësinë në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në SPAK, me miratimin e gjykimit të shkurtuar ai është dorëzuar përpara organeve të drejtësisë.

“Është një lloj dorëzimi i Llallës përpara organeve të drejtësisë. Pranimi që nuk ka nevojë për prova të reja dhe heqja dorë nga çdo pretendim për pavlefshmëri, apo papërdorshmëri provash, tregon që Llalla e pret tashmë një vendim potencial dënimi dhe në të tilla kushte dhe nuk mbetet tjetër, veç të pëfitojë nga zbritja e 1/3 së dënimit”, thotë Qendra për Studime Ligjore dhe Sociale.

Kjo qendër, me mbështetjen e Qeverisë holandeze ka përqëndruar punën e saj prej muajsh në vëzhgimin dhe interpretimin të hetimeve dhe vendimeve të SPAK-ut në 40 çështje.

Në lidhje me rastin e Llallës, Qendra thotë se zvarritja e çështjes çoi në zbehjen e akuzave fillestare të ngritura ndaj ish-Kryeprokurorit, që ishin më të rënda.

“Me kalimin e kohës, kjo çështje ka pësuar një tkurrje të konsiderueshme të akuzave, nga 4 akuza fillestare në vetëm një të mbetur. Vonesa të tilla nuk e ndihmojnë luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë publikë”, thuhet në dokumentin e vëzhgimit të punës së SPAK.

Për Llallën, Prokuroria ka kërkuar 2 vite burg, por Qendra thekson se mbetet për t’u parë nëse në rastin e tij do të zbatohet apo jo pezullimi i vendimit me burg, ashtu sikurse ka ndodhur me një sërë zyrtarësh të tjerë.

Raporti i vëzhgimit cilëson si test për SPAK-in dhe gjithë reformën në drejtësi dosjet që janë në shqyrtim, si ajo ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ajo ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Qendra për Studime Ligjore dhe Sociale vlerëson se veprimi i SPAK dhe GJKKO në rastin e Bashkim Dedjas dhe të tjerëve, përbën të parin rast kur veprohet nëpërmjet ligjit anti-mafia ndaj ish gjyqtarëve të lartë, të shkarkuar nga procesi i vetingut. Ndërkohë që në rastin e ish Prokurorit të Përgjithshëm Llalla, ky i fundit ishte dorëhequr nga funksioni.

“Në një kohë që për ish Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe ish gjyqtarin Fatos Lulo, shkarkimi është motivuar mbi bazë mosjustifikimi pasurie, për ish -gjyqtarin Selimi, shkarkimi është kryer bazuar në komponentin e dytë të rivlerësimit, cenimi i figurës. Në lidhje me këtë të fundit, sipas një raporti të hartuar nga përfaqësues të ONM, ekzistonin dyshime se ish gjyqtari kishte kontakte të papërshtatshme me personazhe famëkeqë të krimit të organizuar”, thotë raporti.

Gjetjet e këtij raporti janë theksuar edhe nga Ambasada e Holandës në Tiranë. Në deklaratën e prezantimit të këtyre gjetjeve, Ambasadorja Guusje Korthals Altes duke cituar raportin thotë se puna e SPAK duhet duartrokitur, por në disa çështje, që lidhen me krimet zgjedhore ngrihen disa pikëpyetje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë