Ngjarje

Raporti: Krimet seksuale janë rritur me 16.18% përgjatë vitit 2021 në Shqipëri

Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje për krimet seksuale ndaj të miturve. Sipas raportit vjetor të Prokurorisë për kriminalitetin, koeficienti për 100,000 banorë në vitin 2021 ka qenë 5,58, ndërsa në vitin 2020 ka qenë 4,78.
Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2021 ka rritje prej 16,18 % të numrit të procedimeve të regjistruara për krime seksuale në krahasim me vitin 2020.

Për këtë grup veprash në vitin 2021 nga numri total i viktimave rezultojnë 77,27 % viktima të mitur-nën 18 vjeç dhe 1,78 % të rritur. Nga viktimat e mitura, 5,88 % janë meshkuj dhe 94,12 % janë femra.
Në lidhje me të pandehurit për këtë grup veprash penale, vihet re rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2020 prej 2,89 %, rritje e numrit të të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë me 52,46 % dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 3,3 % përkundrejt vitit 2020.
Raporti përcakton se 96,7 % e të pandehurve (mbi 18 vjeç) janë meshkuj dhe 3,3 % janë femra. Ndërkohë nga numri i përgjithshëm i të pandehurve meshkuj, 5,65 % janë të mitur (14-18 vjeç).
Lidhur me arsimin e të pandehurve vërehet së më së shumti prej tyre janë me nivel arsimor 9-vjeçar, rreth 64% e totalit të të akuzuarve. Ndër të dhënat specifike të raportit vërehet se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të papunë (92,65 %), ndërsa një pjesë tjetër prej 7.35 % janë të punësuar në sektorin privat.

Paraqitja grafike e përpiluar në raport tregon se numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime seksuale është në Tiranë ku janë regjistruar 30%, e ndjekur më pas nga Elbasani me 9%, Durrësi me 8 % dhe Fieri me 7%.
Sipas paraqitjes grafike, vërehet se numri më i vogël i procedimeve të regjistruara për këto grupvepra penale është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, siç janë: Pukë, Dibër,
Mat, Kurbin, Krujë, Kukës ku kanë regjistruar secila rreth 1% të totalit të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Ndërsa në prokuroritë e shkallës së parë, Përmet e Tropojë nuk janë regjistruar asnjë procedim penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë