Politike

Raporti i monitorimit: Pika më e fortë e administratës, digjitalizimi. Por ka drejtues pa meritë

Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport monitorimi i prezantuar sot në Tiranë nga OECD/SIGMA, ka vlerësuar se një pikë e fortë e administratës publike shqiptare është digjitalizimi. Ndërsa pika e dobët e administratës – sipas këtij raporti – është niveli i lartë i drejtuesve që nuk plotëson tërësisht standardet e bazuara në meritë.

Në konferencën “Transformimi i Sektorit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”, – ku është analizuar progresi e deritanishëm të administratës, por edhe janë dhënë rekomandime – i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si dhe drejtuesi i Programit SIGMA të OECD-së, Gregor Virant.

Rama theksoi se Shqipëria rezulton një vend lider në rajon në prokurimet publike, menaxhimin e financave publike dhe qeverisjen digjitale. Ai tha se kontribut në këtë ka edhe një popull “BE-dashës”, siç janë shqiptarët.

“Besoj se thelbi është tek institucionet, tek kultura e institucioneve jo tek kultura e personave. Duke na munguar kultura e institucioneve, e shtresuar në shekuj, siç është në Gjermani apo Francë, ne kemi një hendek shumë të madh për të mbushur. Këtu vijmë te BE-ja dhe SIGMA. Vijmë te edukimit institucional i cili në këtë periudhë që në këtë periudhë është vënë më shumë në qendër të vëmendjes së më parë. Vijmë tek informimi i të gjithë aktorëve. Dhe te vullneti politik. Dhe presioni i BE për të marrë prej nesh provën e përmbushjes së kritereve. Jemi në një pozicion ku shumë kush do të donte të ishte. Duke pasur popullin më pro evropian dhe pro BE-së, kemi një bazë shumë të fortë që bën që gjithë reformat të kenë mbështetjen e domosdoshme pa të cilën është vështirë të ndërmerren reforma”, tha Rama

Kryeministri u ndal tek prokurimet publike, ndërsa tha se në këtë pikë është bërë një progres madhështor në frenimin e rasteve të korrupsionit.

“Prokurimet publike është për mua një pikë ku mund të shihet progresi që është bërë në luftën kundër korrupsionit. Duhet të modernizohen sistemet e qeverisjes, që këto sisteme të jenë të tilla, që mos të mundësojnë funksionimin e korrupsionit”, tha ai.

Sipas vlerësimit të drejtorit të SIGMA-s, Gregor Virant, Shqipëria është lidere rajonale me digjitalizimi si pikën më të fortë, por meritokracinë dhe besueshmërinë tek funksionarët, si pikat më të dobëta.

“Keni qenë vendi më i dedikuar. Nuk kemi bërë kompromis profesional por kemi njohur atë çfarë është e mirë. Pika më e fortë është digjitalizimi. Keni bërë progres të madh. Jeni shumë pranë  mesatares së BE për këtë pjesë të këtij indikatori. Së dyti keni legjislacion solid. Pikëzimi juaj sa i takon legjislacionit është përafruar me 81% me BE. Pikëzim shumë i lartë.  Keni udhëheqje të fortë politike. Kjo tregon se po i kushtoni shumë vëmendje. Së treti, nënpunësit tuaj civil janë relativisht të kënaqur me punën e tyre. 86% e tyre janë të kënaqur e të përkushtuar.

Drejtues i SIGMA-s, Gregor Virant,

Pika e dobët? Niveli i lartë i drejtuesve nuk plotëson tërësisht standardet e bazuara në meritë. Jemi të gatshëm ta projektoni në mënyrë që garanton kompetencën që është themelore. Së dyti besimi mes ministrave dhe drejtuesve të nivelit të lartë duhet të jetë funksionale. Ka shumë çështje të mbartura administrative në gjykatë”, tha përfaqësuesi i OECD,  Gregor Virant. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë