Ngjarje

Raporti i kinezëve, Covid-19 është dinak, por shkatërrohet në 57 gradë

Mjekët kinezë kanë shpërndarë një raport të shkurtër prej 18 faqesh dërguar të gjitha vendeve mbi gjetjet kryesore që kanë arritur deri më datë 3 mars kundër koronavirusit të ri.
Raporti mban vulën e Komisionit Kombëtar të Shëndetit dhe të Administratës Shtetërore të Mjekësisë Tradicionale Kineze. Në të vihet re vështirësia që kanë hasur autoritetet kineze në identifikimin e rasteve të të infektuarve.

Mjekët kinezë këshillojnë disa forma për realizimin e testeve, që nga mostrat e urinës, feçes, djersës, gjaku dhe të pështymës. Më të sigurt përshkruajnë këtë të fundit. Këshillohet gjithashtu që testet të kryhen sa më shpejt nga marrja e tamponit dhe në një rast negativ, këshillohet gjithashtu një test tjetër pas 24 orëve. Nëse edhe testi i dytë rezulton negativ, atëherë kinezët thonë se personi në fjalë përjashtohet nga mundësia që të jetë i prekur me Covid-19.
Autoritetet në Kinë e përshkruajnë një virus dinak, në gjendje që të qëndrojë në heshtje për një kohë të gjatë brenda një personi të infektuar dhe më pas të përhapet në të gjithë organizmin, në momentin e parë që gjen një pikë të dobët, duke shkaktuar pneumoni akute dhe probleme në organet e tjera të trupit.

Mjekë të Spitalit Union dhe Kolegjit Mjekësor Tongji në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Huazhong në Wuhan, marrin pjesë në një ceremoni për të formuar “skuadrën e sulmit” kundër koronavirusit në Kinë

Nga analiza laboratorike që i kanë kryer virusit, mjekët kinezë thonë se në temperaturën 57 gradë celcius, koronavirusi i ri shkatërrohet, ndërsa në temperaturat mbi 27 gradë vihet re një dobësim i tij. Por, ky përfundim, theksohet në raport, duhet të merret si paraprak dhe jopërfundimtar, pasi në zona larg Wuhanit është vënë re një sjellje më rezistente ndaj temperaturave të larta të këtij virusi.
Mjekët kinezë thonë gjithashtu në raport se koronavirusi i ri ka një ngjashmëri deri në 85 për qind me virusin SARS, por ndryshe nga SARS ka një strukturë më të qëndrueshme, megjithëse më tepër komplekse sa i takon funksionimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë