Shendet

Raporti i Higjienës: Mbajini fëmijët tuaj të pastër

Shpesh herë kemi dëgjuar gjyshet tona të thonë “lërini fëmijët të luajnë në baltë se bëhen më të fortë”. Por, ky mit dhe shumë të tjerë që lidhen me pastërtinë nuk janë të vërteta.
Shoqata e Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe, ka deklaruar përfundimisht se pjesa më e madhe e alergjive, shkaktohen nga papastërtia. Sipas një studimi të fundit, fëmijët duhet që të lajnë duart gjithmonë kur futen në shtëpi dhe të mësojnë të jenë të kujdesshëm kur janë në ambientet e jashtme.

“Ka ardhur koha që ne të zgjidhim këtë çështje, duke i bindur njerëzit se gjërat që besojnë janë thjesht mite,” tha Sally Bloomfield, autori kryesor i studimit.

Rezultatet treguan se vetëm dy në pesë persona mendonin se duart e pista të fëmijëve pasi luajnë në ambientin e jashtme, mund të përmbajnë shumë mikrobe. Në studim thuhet gjithashtu se, është e vërtetë që aktivitetet dhe shëtitjet në natyrë i’u bëjnë mirë fëmijëve, por edhe pastërtia është shumë e rëndësishme. Ekspertët shprehen se në një kohë kur rezistenca antibiotike është në rritje dhe shëndetësia është gjithnjë në presion për të gjetur medikamente të reja, do të jetë shumë mirë që të përpiqemi të ndalojmë infeksionet. Sipas të dhënave 1 në 4 njerëz preken çdo ditë nga sëmundjet infektive kudo në botë.
Një tjetër fakt shqetësues për ekspertët është se 23 % e 2000 njerëzve që u pyetën gjatë studimit, mendonin se higjiena nuk është e rëndësishme dhe fëmijët duhet të ekspozohen ndaj mikrobeve të dëmshme për të pasur një sistem imunitar më të fortë. Në bazë të rezultateve të studimit, Shoqata bën thirrje që higjiena është parësore, sidomos në pjesën e kuzhinës.
“Helmimi nga ushqimi ishte një sëmundje pothuajse e eliminuar në vitet 1980 dhe 1990, ndërsa tani sëmundjet gastrointestinale dhe ato të frymëmarrjes janë në nivele të papranueshme kudo në botë. Ne gjatë gjithë kohës jemi të rrezikuar nga një pandemi gripi” shprehet Bloomfield
Në studim thuhet gjithashtu se, fëmijët duhet të mësohen në shkollë për mënyrat e ndryshme që përçohen bakteret dhe për kujdesin që duhet pasur. Sipas ekspertëve, edukimi mbi higjienën duhet të nisë që në klasat fillore, duke promovuar kujdesin për veten dhe rëndësinë e një ambienti të pastër./The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë