Gazeta Si – Grupet shqiptare të krimit të organizuar janë pasardhës të mirëfilltë të organizatave mafioze italiane.
Kjo është bërë e ditur gjatë publikimit të raportit gjashtëmujor që Antimafia italiane (DIA) i ka dorëzuar Parlamentit, ku shpjegohen lidhjet që kanë me organizatat mafioze vendase si Ndragheta etj…, por edhe detajet mbi përfshirjen në biznese dhe pastrimin e parave.
Në raport, theksohet se mafia shqiptare përbën një rrezik serioz për sigurinë dhe ekonominë europiane.
“Trafiku i drogës është shtylla kurrizore e aktivitetit kriminal të mafieve italiane e të huaja në territor. Afera e biznesit të këtij trafiku është 780 miliardë dollarë e riciklimi i fitimeve nga biznesi i drogës në ekonominë e ligjshme llogaritet tepër i madh”.
Në një pikë të raportit nënvizohet marrëdhënia e ngushtë që shqiptarët kanë krijuar me “Casamonica”-n duke u përfshirë në botën e biznesit në kryeqytetin italian.
“Në Romë, mafia shqiptare ka krijuar marrëdhënie me krimin e organizuar roman, në radhë të parë ata të Casamonicas, jo vetëm për trafik droge, por edhe për pastrim parash”, raportoi në seancën dëgjimore në Komisionin Antimafia, Mario Conio, kreu i qendrës operacionale të DIA-s në Romë.
“Shqiptarët, nga pikëpamja e ndikimit kriminal, janë trashëgimtarët e Casamonicas. Ata kanë të njëjtin vulë, në të cilën dhuna është mënyra se si ata shprehen për të kontrolluar territorin”, nënvizohet më tej.
Sa i përket rajonit në kufi me Pulian dhe Kalabrinë, në raport nënvizohet se fenomenet mafioze kanë evoluuar midis provincave të Potenzës dhe Matera-s.
Në bregdetin Jon, klanet kalabreze kanë formuar një bosht kriminal me grupe indigjene dhe interesat kriminale mbizotëruese në këtë zonë janë ato të trafikut të drogës (gjithashtu me pjesëmarrjen e sindikatave shqiptare) zhvatjes dhe pastrimit të parave veçanërisht në aktivitetet tregtare të hotelerisë turistike.
Në Liguria sakaq vepron Ndragheta dhe organizata mafioze klabreze është e strukturuar në Genova, Lavagna dhe Ventimiglia, duke njohur “Liguria”-n si një makro-zonë kriminale që i nënshtrohet kontrollit të bandave lokale të vendosura atje.
“Lidhur me praninë e grupeve me origjinë të tjera kriminale vërehet prezenca e projeksioneve individuale jashtërajonale të Camorrës dhe mafies siciliane, edhe pse jo të organizuara në shoqata të strukturuara. Të gjitha provincat e Ligurias karakterizohen nga prania e shoqatave të huaja kriminale, shpesh të përbëra nga qytetarë të parregullt jashtë BE-së, me origjinë afrikane, amerikano-jugore ose evropiane, që veprojnë kryesisht në sektorin e trafikut dhe tregtisë së drogës. Në disa operacione të kohëve të fundit kundër drogës, ndër të tjera ka dëshmi të sinergjive operacionale mes krimit të organizuar shqiptar me subjekte që i atribuohen Ndranghetës dhe krimit indigjen”.
Raporti vëren se aktiviteti i mafies shqiptare, është dokumentuar si i organizuar dhe në nivel internacional në bashkëpunime me grupe e mafie të tjera të pozicionuara jashtë territorit italian.
“Mafia shqiptare është ndërmjetësja e parë me kartelet e narkotrafikut në Amerikën Jugore, në importimin e sasive të mëdha të kokainës nga vendet e prodhimit të saj e në furnizimin e tregjeve italiane e europiane. Mafia shqiptare lulëzon aktivitetin e saj kriminal jo vetëm në trafikun e drogës por dhe në trafikun e qënieve nejrëzore e në atë të armëve”, – thuhet në dokument.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.