Arsim

9 nga 10 studentë thonë se ka korrupsion në universitetet publike, kërkojnë veting

Nga Gazeta Si- Studentët në Shqipëri raportojnë probleme me korrupsionin, profesionalizmin dhe mungesën e pedagogëve në 8 universitete shqiptare.

Një raport i publikuar nga Qëndresa Qytetare mbi gjendjen e universiteteve në Shqipëri, ka nxjerrë në pah të dhëna alarmante. Korrupsioni është i përhapur në mënyrë masive në universitetet publike ku nga të dhënat e mbledhura në tetë institucione të arsimit të lartë, rezulton se 9 nga 10 studentë (89.98%) pranojnë ekzistencën e korrupsionit, ndërsa format më të zakonshme mbeten pagesa në këmbim të notës dhe shitblerja e detyruar e librave.

“Rreth 1 në 10 studentë (9.61%) pranojnë se kanë ofruar ryshfet për të marrë një notë më të mirë, fakt që provon se korrupsioni në arsim mbetet një fenomen kompleks dhe i vështirë për t’u adresuar”, shkruhet në raport.

Perceptimi i studentëve mbi stafet akademike

69.84% e studentëve të Universitetit të Tiranës perceptojnë plagjiaturën si fenomen të përhapur tek pedagogët, ndërsa 73% e studentëve besojnë se brenda fakulteteve ka pedagogë që nuk e zotërojnë lëndën që japin.

“23% e studentëve shprehen se pedagogët e respektojnë pak ose aspak orarin e caktuar, çka përbën një tregues shqetësues për mungesën e disiplinës profesionale në një pjesë të institucioneve. Zgjidhja kryesore për problematikat e integritetit akademik, sipas rreth gjysmës së studentëve, mbetet vetingu në akademi”, shkruhet në raport.

Qëndresa qytetare shkruan se në 4 vitet e fundit janë akuzuar për korrupsion 50 pedagogë dhe punonjës universitetesh, kryesisht në universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Bujqësorit.

Qëndresa Qytetare identifikon 8 raste të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të Vetingut apo shmangies së tij, të cilët janë rikthyer në jetën akademike si pedagogë në universitete publike dhe private.

“Këshillat e Etikës, në 4 vite (2021–2025), kanë trajtuar vetëm 16 çështje në 8 universitete publike, ndërkohë 54% e studentëve shprehen se kanë “pak” ose “aspak” besim se në universitete trajtohen drejt rastet korruptive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë