I ftuar në emisionin “Opinion”, Kryeministri Edi Rama ka lexuar Aktin Normativ për qiratë duke sqaruar fillimisht kategoritë që përfshihen. Sipas tij, qiraja nuk do të paguhet për dy muaj, prill dhe maj, ndërsa detyrimet e prapambetura do të paguhen më vonë në mënyrë proporcionale, sipas një dakordësimi mes qiramarrësit dhe qiradhënësit.
“Të gjithë qiramarrësit individë, të cilët kanë kontratë qiraje, për banesë, apo cdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës-qiramarrës përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe që kanë një kontratë pune, por e kanë pezulluar apo zgjidhur si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj, prill dhe maj 2020.
Po ashtu edhe studentët që janë larguar në rrethe nuk do ta paguajnë për dy muaj, po kështu të gjithë sipërmarrësit persona fizikë apo juridik me të ardhura deri në 140 mijë dollarë në vit, pra biznesi i vogël të gjithë që kanë kontratë noteriale qiraje që për shkak të epidemisë kanë probleme me aktivitetin e tyre, nuk do ta paguajnë qiranë për dy muaj, dhe më pas detyrimi i prapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin pas muajit maj 2020.
Të gjithë qiramarrësit që kanë ankesa në lidhje me qiradhënësin do të drejtohen tek drejtoria e tatimeve dhe qiradhenesi do të ndëshkohet me gjobë në pesëfish të qirasë mujore…. Jemi në kushtet e një lufte…” , sqaroi Rama
I pyetur më konkretisht në “Opinion”, Kryeministri shtoi: ”Të gjithëve këtyre sa më sipër do t’ju mundësohet me hir apo me pahir që të mos paguajnë qiratë për këto dy muaj dhe pas dy muajve, në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet e prapambetura… Kjo mund të jetë më e shkurtër, por mund të jetë edhe më e gjatë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.