Politike

Rama nga Dibra: ERE nuk vendos të ulë apo rrisë çmimin e energjisë, vendimi është politik i qeverisë

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama konfirmoi përsëri se qeveria do të vazhdojë të financojë koston e rritur të energjisë për familjet shqiptare dhe pranoi se çmimi i energjisë që i shkon konsumatorëve është politikë dhe ERE nuk ka lidhje me të.

"ERE nuk vendos të rrisë apo të ulë energjinë, ERE vendos çmimin e tregut. Pastaj a vendoset fasha, a vendoset çmimi kaq apo aq e bëjmë ne dhe jo ERE, është politikë", -tha Rama.

Duke folur nga Dibra me operatorët turistikë atje, Rama tha se ky është fokusi kryesor tani dhe për ta bërë këtë fondet duhet të hiqen nga dikur tjetër, nga investimet infrastrukturore. Ai u ndal edhe te rruga e Arbrit ku tha se punimet po ecin me ritmin e breshkës, për shkak të problemeve gjeologjike në tunelin e Murrizit.

"Mbrojtja nga çmimi i energjisë ka bërë që të kemi inflacionin më të ulët në rajon. Nëse ne nuk do të financonim koston reale të energjisë, një pjesë e faturës së rritur do t'i kalonte konsumatorëve e goditja do të ishte deri në palcë. Do të vazhdojmë ta mbajmë, nga diku do të hiqet. Nuk jemi në fazën që mund të shtrijmë këmbët plotësisht sepse kemi ende jorganin e shkurtër. Me buxhetin e vitit të ardhshëm është planifikuar edhe lidhja me Maqellarën që e sjell makinë me rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë, po ecim me rrugën e Lurës dhe lidhëse të Bulqizës me Librazhdin, kemi një problematik shpronësimesh që kërkon kohë dhe para, dhe me fondet nuk jemi në ditët më të mira se po na ha shumë mbrojtja e energjisë elektrike", - u shpreh Rama, duke ripërmendur dhe se qeveria është në pritje të një përgjigje pozitive nga kompania Shell, që po eksploron Shpiragun për naftë komerciale.

Rama përmendi dhe largimin e të rinjve duke thënë se dëshira për tu larguar është legjitime, por ata mund të investojnë në vend dhe të fitojnë pesëfishin e asaj që marrin përtej detit ku punojnë për dikë tjetër.

"Të mendosh të largohesh është legjitime,të çash detin e të arrish për dy orë atje ku është zhvillimi. Sot të rinjtë i kanë mundësitë këtu edhe nëse kanë një shtëpi të rrënuar apo një tokë në fshat. Mund të fitojnë pesëfishin e çfarë fitojnë diku jashtë ku punon për dikë tjetër. Duhet ta vëmë në dispozicion të ekonomisë bukurinë e vendit. Emigracioni është pjesë e historisë. Norvegjia ka pasur zbrasje totale, sepse atje kishte uri. Jo si uria që thonë se ka në Shqipëri. Nuk është çështje buke, por çështje e zhvillimit të kapacitetit", - tha kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë