Ngjarje

Rama: Platforma e-Transport, informacione në kohë reale për udhëtarët

Platforma e-Transport ofron informacione në kohë reale per udhëtarët, qofshin këta shqiptarë apo të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi këtë platformë, e cila e bën më të lehtë transportin në çdo cep të vendit.

“Ju mund të zbuloni online itinerarin, vendndodhjen e stacionit, orët e nisjes dhe mbërritjes si dhe kontaktet e operatorëve”, tha Rama.

Sipas kryeministrit informacioni orientues ofrohet në porte, aeroport e pika kryesore të mbërritjes së qytetarëve e turistëve.

Si një projekt i nisur nga Ministria e Infrastrukturës, Energjisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e-Transport do të krijojë një standard të ri të eksperiencës së udhëtimit me linjat e transportit ndërqytetas.

Qytetarët do të kenë mundësi që t’i presin biletat online përmes telefonit me QR code, të shohin vendndodhjen e stacioneve, oraret, kryqëzimin e linjave.

Nga ana tjetër, tregu i transportit ndërqytetas do të përdorë platformën për të monitoruar burimet e veta në terren, për të aplikuar online për licensimin e shoqërive dhe certifikimin e mjeteve.

Platforma synon të formalizojë tregun e transportit dhe të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë