Gazeta Si – Nga Fieri, kryeministri Edi Rama, teksa foli për projektet e reja, premtoi skemë të re të kontrolleve për respektimin e rregullave të qarkullimit në rrugë.
Sipas tij, nuk do të ketë më policë në çdo rrugë për të kontrolluar shoferët, por kjo do të bëhet përmes teknologjisë.
“Jo të rrinë policët atje dhe të thonë ndalo pak, sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do të bëjë që jo vetëm të jenë të menjëhershme (gjobat), por të të vijë në telefon bashkë me gëzimin që ke në faqe për tejkalimin e shpejtësisë. Bashkë më një mesazh kujdes deri në shtëpi, mos e përsërit më se të vjen gjoba prapë. Do të ndikojë në uljen e aksidenteve sepse do t’u shkojë shumë shtrenjtë adrenalina”.
Rama theksoi se përmes sistemit të kontrollit, gjithë Shqipëria do jetë e monitoruar me kamera inteligjente në kohë reale.
“Kjo qendër do të lidhet me projektin që ne kemi financuar me Emiratet e Bashkuara, për të pasur të gjithë territorin, duke filluar nga qytetet, qendrat e qarqeve, spitalet, shkollat, institucionet publike, akset kombëtare nën një sistem kamerash inteligjente. Ato ekrane do shohin gjithë Shqipërinë në kohë reale, por sistemi është i tillë që në mënyrë të menjëhershme do sinjalizojë këtu për një rritje shpejtësie në një pikë të caktuar të Republikës”.
Në Fier, kryeministri Edi Rama foli përmes hartës së Shqipërisë për të gjitha projektet infrastrukturore që synohen të bëhen realitet brenda kësaj dekade.
Ai e nisi me rrugën Elbasan-Tiranë e deri te ajo e Fierit, duke theksuar se “do ndërtohen autostrada të kategorisë A me standardet europiane”. Rama shtoi se gjithë logjika e bërjes së akseve rrugore do bazohet në dy pika kryesore.
Ai parashikoi që brenda kësaj dekade, Shqipëria turistike të jetë në të njëjtin nivel me Zvicrën apo Austrinë.
“Po të shohin sot Shqipërinë turistike, ne faktikisht kemi një shfrytëzim shumë intensiv të një fashe shumë të ngushtë që është ajo që i përket detit dhe të pikave ende shumë të rralla brenda në territor. Pasuria më e posaçme e shqiptarëve nuk është kjo, është mbi të gjitha zonat malore të Shqipërisë, sepse aty në një fazë tjetër Shqipëria do mund të çlirojë kapacitete të një turizmi që sjell konsumatorë të nivelit të lartë. Ajo që e bën unike Shqipërinë është se të dyja këto i ka shumë afër. Është e vogël dhe ka dy dete, ka 9 lumenj që e përshkojnë, ka vargmale shumë afër detit. Pa llogaritur liqenet e mëdha dhe një numër shumë të madh liqenesh të vogla”, tha kreu i qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.