Ngjarje

Rama nga Libani: Presim të lirojmë të gjithë shqiptarët nga kampi i ISIS-it

Kryeministri Edi Rama konfirmoi nga Libani se operacioni për lirimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që mbahen të bllokuar në kampin Al Haël vazhdon edhe përtej lirimit të 4 fëmijëve dhe nënës së tre prej tyre.

“Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar më vjen mirë që ia dolëm, kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin e që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj dhe drejtorin e antiterrorit që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme , po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë”, deklaroi Kryeministri në një deklaratë për Top Channel dhënë nga Libani.

“Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët”, vijoi ai.

Rama tha se aktualisht “kemi një strukturë që është e organizuar nën masa sigurie, psikologë, mjekë për të bërë analizat, do shohim si do zhvillohen gjërat”.

Kryeministri u shpreh se pjesa më e vështirë është ajo për të nxjerrë pengjet, po ashtu është që nuk mund të flasësh, informosh, sepse konfidencialiteti është baza në këtë proces.

“Nuk është një ndërveprim me një faktor por me shumë. Më vjen mirë të them se ne nuk kemi qenë në gjumë, tani unë nuk mund të flasë për më shumë. Edhe për këta fëmijë deri në momentin e fundit kemi qenë më zemër të ngrirë, ka pasur dy-tre momente te vështira në këtë operacion”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë