Politike

Rama largon Valdrin Pjetrin: Me PS e ka rrugën e ndarë. PD: Lojës me larje duarsh i ka ardhur fundi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke e distancuar veten dhe Partinë Socialiste nga Valdrin Pjetri pas publikimit të dokumentacionit nga ana e Partisë Demokratike, ku njeriu që kandidoi për socialistët në Bashkinë e Shkodrës më 30 qershor rezulton i dënuar për trafik droge.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër, e kudo ka punuar, por kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”, shkruan ai nga rrjetet sociale.

Rama kujton se nuk do të tolerojë më askënd dhe as të marrë përsipër raportet individuale me ligjin të askujt.

“E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS!”, mbyll reagimin e tij Kryeministri.

Menjëherë pas kësaj deklarate të Ramës ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Ai thotë se Rama po lan duart me Valdrin Pjetrin, ashtu si me të zgjedhurit e tjerë socialistë në të shkuarën të larguar nga dekriminalizimi.

“Heshti për 11 ditë dhe tani po përsërit filmin që kemi parë me Elvis Roshin, me Arben Ndokën, me Mark Frrokun, me Armando Prengën, me Artur Bushin, me shume edirama kriminelë të veshur me pushtet. Valdrin Pjetrin e emëroi Edi Rama, nuk u bë vetë as drejtor hipoteke, as prefekt, as kandidat për Kryetar Bashkie. Lojës me larje duarsh i ka ardhur fundi! Edi Rama është damkosur si kryeministri që promovoi krimin në parlament, qeveri dhe bashki”, thotë Gazment Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë