Analize

Rama-Kurti përballë liderëve të Ballkanit. Analistët: Raportet personale të mos ndikojnë në bashkëpunim

Edhe pse janë bërë bashkë në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimo në Tiranë, i cili shënon vizitën e parë zyrtare të Albin Kurtit në Shqipëri në mandatin e tij të dytë si kryeministër, kreu i Kosovës dhe ai i Shqipërisë e gjejnë veten sot të ndarë dhe të distancuar plotësisht nga njeri-tjetri, përballë udhëheqësve të rajonit.

Në mandatin e parë, Kurti kishte respektuar traditën që ishte krijuar nga krerët institucionalë në Kosovë që pas pranimit të detyrës, vizitën e parë jashtë vendit e bënin gjithnjë në Tiranë. Por, kjo nuk ndodhi në mars, kur Kurti nisi mandatin e dytë, pavarësisht se pati një ftesë nga shefi i ekzekutivit të Shqipërisë. Ai zgjodhi që vizitën e parë ta zhvillonte në Bruksel.

Por edhe pse Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më të bashkuara se kurrë, sidomos në kushtet kur Kurti do të përballet në Tiranë me kryeministren serbe Ana Brnabiç dhe po përgatitet për dialogun me Presidentin Vuçiç në 15 qershor, Tirana dhe Prishtina duket se do të jenë edhe këtë samit në pozicione jo komode.

Ekspertët në Kosovë po ngrejnë prej kohësh shqetësime se raportet e ftohta mes kryeministrrave Rama dhe Kurti që sipas tyre po ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Në nisje, kryeministri Kurti ka dhënë një mesazh të fortë për afrimitetin mes dy vendeve, duke u shprehur se “Kosova e ka përherë të qartë se cila është busulla e saj historike që i tregon udhën e mbarë”. Ai zgjodhi që fillimisht të bënte homazhe në Prizren, duke nderuar sipas tij, heronjtë dhe ata që sakrifikuan për kombin shqiptar.

“Jemi nisur herët në mëngjes për në Tiranë, ku do të takohemi me udhëheqësit e shteteve të rajonit. Por sot është data e kryengritjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh në 10 qershor 1878 në Prizren. Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për të nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë e të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut. Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë”, shkruan Kurti.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të tregojë të kundërtën, analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri thonë se raportet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët.

 Drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve po shkojnë drejt një rruge të rrezikshme. “Ne do të duhej të kishim bashkëpunim institucional të qëndrueshëm, pavarësisht se kush janë personat që drejtojnë në momente të caktuara. Praktikisht marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë janë në pikën e tyre më të ulët. Ka një mosbesim të theksuar dhe ka sulme personale të politikanëve ndaj njëri-tjetrit. Në Tiranë dhe në Prishtinë ka pasur artikuj që denigrojnë figurat reciproke politike, përfshirë edhe dy kryeministrat. Ndërkohë që raporti i dy kryeministrave, siç u pa edhe në takimin e fundit informal është më shumë raport personal se raport mes dy qeverive dhe institucioneve dhe nëse ka gjë për të cilat ne do të duhej të reflektonim, përfshirë kabinetin e ri në Tiranë dhe kabinetin e ri në Prishtinë është e para për të hequr dorë nga aktet simbolike, siç ka bërë Tirana me deklarata periodike për Kosovën apo me emërimin e politikanëve të Kosovës në Shqipëri për periudha të caktuara, apo siç ka bërë Prishtina me vendimin e Kurtit për të marrë pjesë si votues në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe për të pasur kandidatët e vetë kundër Ramës”, tha Krasniqi.

Analisti nga Prishtina Imer Mushkolaj thotë nga ana tjetër se bashkëpunimi ndërshtetëror asnjëherë nuk duhet të kthehet në raport personal mes dy udhëheqësve. Ai thekson se inatet mes Ramës dhe Kurtit, po përcaktojnë edhe marrëdhëniet shtetërore midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Duhet thënë po ashtu se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i pengon asgjë që të krijojnë raporte sa më të mira në të gjitha sferat. Domethënë nuk kanë kurrfarë pengese, por duket se inatet personale ose inatet që kanë të bëjnë me inatet partiake politike të njërit ose liderit tjetër që është në pushtet e kanë sjellë situatën që sërish të flasim për përmirësim të raporteve mes dy vendeve. Ne e dimë se viteve të kaluara qeveritë e dyja vendeve janë takuar disa herë, ku janë nënshkruar një numër të madh marrëveshjesh, por është çështje tjetër sa janë zbatuar këto marrëveshje dhe tani nevojiten takim tjetër për të parë se deri ku kanë shkuar këto pakte. Kurti tani është në cilësinë e kryeministrit dhe përtej emrave të përveçëm është e rëndësishme që dy vendet të bashkëpunojnë si shtete të pavarura njëra me tjetrën, dhe si shtete shumë të afërta. Them se çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë bashkëpunim ndërshtetëror në kontekst të ndonjë raporti personal është e dëmshme dhe do t’i dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve”, ka thënë Mushkolaj.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ka marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e Kosovës, por është hera e parë që ka përplasje edhe me Presidenten edhe me Kryeministrin. Në të kaluarën Rama dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë shpërthyer me akuza të ashpra ndaj njëri-tjetrin për raportet mbi ndarjen e Kosovës, por Rama ka pasur në “krahun e tij” ish-presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit i shkruante në një letër të enjten nga Haga kryeministrit Rama që të kujdesej për Kosovës, por analistët parashikojnë se marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë do të vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

Sipas analistit Imer Mushkolajt angazhimi personal, por edhe në nivel qeveritar i kryeministrit Kurti në garën politike në Shqipëri, i cili ka të ngjarë të vazhdojë edhe pse Vetëvendosje ka mbetur jashtë parlamentit, do të rrezikojë raportet mes dyshes Osmani-Kurti dhe kryeministrit Rama gjatë mandatit të tretë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë