Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, sipas të cilit liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar me 20 vende përgjatë vitit të kaluar.
Rama e nis reagimin me vetëdijen se deklarata do të shkaktojë kundërreagime si ‘sulm, presion dhe agresion ndaj mediave’.
“Por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!”, shkruan ai.
Mes gjetjeve, raporti flet për dhunë policore ndaj gazetarëve. Rama e quan gënjeshtër.
“Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!”, thotë ai.
Rama mohon edhe gjetjen tjetër të raporti, që flet për media e gazetarë të intimiduar.
“Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!”, mbyll ai reagimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.