Politike

Kaosi në kufirin me Greqinë, “dorëzohet” Qeveria shqiptare: S’kemi ça të bëjmë!

Qeveria shqiptare thotë se i ka duart e lidhura përballë vendimit të autoriteteve greke për të kontrolluar dhe testuar çdo shtetas që hyn në kufijtë e tyre, duke shkaktuar kështu radhë të gjata në pikat doganore, si në Kakavijë dhe Kapshticë.

“Çfarë mund të bëjmë ne, Qeveria dhe shteti shqiptar në këto kushte, kur e përsëris, ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek, që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi?! Faktikisht në radhën kilometrike të Kakavijës, ku shumica dërmuese e qytetarëve janë rezidentë në Greqi, taksapagues të rregullt të shtetit grek - ka edhe disa grekë, që njësoj si gjithë të tjerët kanë rendur të kthehen për t'i shpëtuar karantinimit që hyn në fuqi në 16 gusht. Por asnjë dallim nuk bën pala greke për ta dhe as kërkon që ata të kalojnë pa radhë”, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama.

Rama mohon se pas bllokimit nga ana e Greqisë të mijëra emigrantëve shqiptarë në Kakavijë dhe Kapshticë qëndrojnë forma padrejtësie, apo diskriminimi.

“Fakti është se në këtë rast, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie, apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë "patriotët" që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez, apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grekë kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10158061654866523

Rama thotë se fenomeni i dyndjes drejt pikave kufitare nuk ndodh vetëm në Shqipëri dhe pamjet me radhë të gjatë për shkak të kontrolleve të shtuara të detyruara nga koronavirusi mbërrijnë edhe nga Britania e Madhe.

“Nga ana tjetër kjo çmenduri, në radhë për të kaluar kufirin nuk ndodh vetëm në Kakavijë sot. Dje për shembull, pika e kalimit në portin e Doverit në Britani ishte në kolaps të plotë dhe në radhë rrinin britanikët për t'u kthyer në shtëpi nga Franca, që t'i shpëtonin rregullit të sapo vendosur të karantinës së detyrueshme. Plot gjysmë milioni turistë britanikë në një rendje marramendëse drejt shtëpisë”, vijon ai.

Kryeministri kërkon nga qytetarët që të përshtaten me normalitetin e ri, ndërsa nënkupton se personalisht nuk është dakord me vendimin e tamponimit të qytetarëve në kufi, por thotë se ky është vendimi i Greqisë

“Unë nuk e di çfarë kuptimi ka vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar, sepse të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet. Ashtu sikundër, e kemi parë edhe që jo gjithnjë tamponi e zbulon infeksionin me Covid-19. Por, kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull”, shprehet Rama.

Megjithatë, Kryeministri shton se komunikimi me palën greke vazhdon ende dhe premton se Shqipëria nuk do të rikthejë as karantinën e detyruar dhe as do të shtrëngojë lëvizjen e njerëzve brenda për brenda vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë