Irena Beqiraj

Rama është për Bashën ‘I dashuri armik ‘


 "Armiku i vetëm është Rama" . Ah sikur të ishte kështu ! Ne jemi larg stadit , ku një person i vetëm të jetë  i vetëm edhe i vetmi  armik i zhvillimit edhe i shoqërisë  .

Vendimet e këtij shtatori,  nga të dy kahet  qartazi edhe hapur tregojnë që tanimë  jemi zyrtarisht në një  spirale, edhe më të vështirë se regjimi njëpartik , në atë të  autokracisë personaliste.

Për një kohë të gjatë,  të gjitha regjimet jo-demokratike i grumbullonim  së bashku. Në 20 vitet e fundit, shkenca  politike ka bërë  përparim duke pranuar se ka një ndryshim të madh në llojet e ndryshme të regjimeve autokratike. Regjimet njëpartiake, siç i shohim në Vietnam ose Kinë  të ngjashme me Shqipërinë komuniste apo regjimet ushtarake, në Mianmar ose në Kilin e Pinochetit, sillen shumë ndryshe nga regjimet personaliste.

Në regjimet personaliste kemi një udhëheqës të vetëm, vendimet e të cilit  janë të pakufizuara nga një organizatë, dhe një individ i vetëm përcakton çdo politikë, çdo vendim, përcakton njërzit në parlament, në qeveri edhe indirekt kudo tjetër.

Venezuela e Hugo Chávez, Turqia , Shqipëria e sotme, çdo entitet i saj, Partia Demokratike , Partia Socialiste, Universitetet tona janë  shembull i ekselent i regjimeve personaliste .

Berisha padyshim është arkitekti mjeshtër i këtij regjimi, duke korrur çfarë mbolli. Ndërsa Rama edhe Basha pa më të voglin ndryshim,  pa pikë ndroje, e kthyen funksionimin e tij në art.

Demokracia dukshëm është vetëm një realitet imaginar në Shqipëri. Eshtë një përrallë e bukur të cilën në shqip na e tregon  herë  Basha e  herë Rama, ndërsa  në anglisht na i rrëfen i vetmi zot mbi këtë  tokë, ambasada amerikane. Realitetin që ju çdo ditë ndërtoni  është e kundërta e demokracisë madje është provuar,  më i korruptuar, më pak zhvillues edhe se  autokracia njëpartiake.

Vendimet, respekti i Bashës për mendimin ndryshe edhe demokracinë, nuk ndryshojnë aspak nga ato të Ramës, madje ai guxon të implementojë hegjemoninë personale nga pozitat e humbësit, duke vrarë çdo shpresë për ndryshim.

E në këto kushte Rama është për Bashën  "I dashuri armik ".


Copyright © Gazeta “Si”