Lajme

Rama: Edhe Bujar Asqeriu kërkon shembjen e Teatrit

Në serinë e zërave të artistëve që kërkojnë shembjen e godinës aktuale dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar, Edi Rama ka sjellë këtë të hënë një personazh që ishte protagonist në ditët e para të protestës kundër shembjes së kësaj godine.

Përmes rrjeteve sociale, Kryeministri ka sjellë fjalët, sipas tij, të aktorit Bujar Asqeriu.

“Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua!”, citon Rama Bujar Asqeriun.

Rama e njeh kontributin e aktorit në ditët e para të protestës për këtë temë.

“Në këtë çështjen, “prishet nuk prishet” rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera”, shkruan Rama.

Por, çfarë e bëri aktorit që të ndryshojë mendje kaq radikalisht? Përgjigjen e jep Rama po në të njëjtin postim.

“Qyshse kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë