Art dhe Kulture

Protesta kundër shembjes së Teatrit; zgjidhje e fundme apo ngujim brenda godinës?

Nga Suadela Balliu-Temperaturat e mëngjesit të së enjtes së datës 5 korrik nuk ishin ato më të volitshmet për një protestë, veçanërisht ku sheshi përballë Kuvendit të Shqipërisë, aty ku kishin nisur të grumbulloheshin një grusht njerëzish ishte  i gjithi nën sundimin e diellit. Ata që ishin grumbulluar siç ishte lajmëruar më parë nga Aleanca për Mbrojtjen e  Teatrit, në orën 10 të paradites dukej se ishin më të guximshmit apo sfiduesit e të nxehtit, ndërsa të  tjerë kundronin nga  ana tjetër e rrugës, nën hijen e pemëve, sikur prisnin të merrnin pak zemër. Pjesa më e lakmuar nën hijen e pemëve, pjesë e lulishtes përreth parlamentit ishte e rrethuar nga forcat e rendit, të cilët nuk linin askënd ta kalonte vijën e vendosur prej tyre –megjithëse si Parlamenti ashtu edhe lulishtja krah tij janë pronë publike-  siç është edhe Teatri Kombëtar, projektligji për shembjen e të cilit po diskutohej për t’u votuar brenda sallës së Kuvendit nga deputetët e këtij legjislacioni.

Organizatorët , pasi falënderojnë të pranishmit që u janë bashkuar në këtë protestë qytetare  kërkojnë që pjesëmarrësit të bashkohen në krye, udhëhequr nga një grup aktorësh dhe aktivistësh me një megafon dhe një pankartë ku shkruhet “Mbro Teatrin”- për shtypjen e së cilës, ky komunitet ka paguar me paratë e tyre (të paktën kështu dëgjohet të  thuhet, ndërsa u kërkojnë gazetarëve të sprapsen dhe të lirojnë fushëpamjen në mënyrë që kamerat apo makinat fotografike të mund të mbërthejnë mesazhin e tyre në letër) .

Zyrtarisht protesta çelet me motivet e Himnit Kombëtar  dhe leximin e peticionit që qytetarët dhe artistët nën çadrën e  Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë  firmosur dhe ua kanë drejtuar një sërë institucionesh në vend si Presidenti i Republikës, kryetarit të Parlamentit, Kryeprokurores, Kryetarit të Kontrollit të lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit, zyrave të OSBE dhe BE në Tiranë si edhe përfaqësive të huaja diplomatike në vend.

Kjo aleancë me përfaqësim të gjerë qytetarësh –por për nga numri i të mbledhurve në këtë protestë duket ende e vogël, të paktën në terma shifrash – artikuloi edhe njëherë, siç ka bërë për ditë me radhë , se është kundër këtij projektligji të fshehtë e me procedura të përshpejtuara.

Jo vetëm shkelje flagrante e kushtetutës dhe e ligjeve në fuqi – lexon aktori Neritan Liçaj, por një atentat ndaj Republikës së Shqipërisë, i cili bie ndesh me nenet 2, 4, 13, 23, 41, 81, 82, 102, 116/1, 173, 175, të Kushtetutës.

Protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, përpara Parlamentit.

Ndërsa paradoksi bëhet edhe më i fortë ku pikërisht në një vit si 2018, i shpallur  edhe si viti i trashëgimisë kulturore. Por për kryeministrin Rama dhe ministren Kumbaro kjo godinë e ndërtuar në vitin 1940, e blerë nga Mbretëria Italiane familjes Libohova, të cilët kishin pranuar shitjen e truallit vetëm me kushtin për t’u shndërruar në teatër, nuk mbart asnjë vlerë monumentale, historike e as bën pjesë në trashëgimië kulturore shqiptare, veçse është një godinë e rrënuar, pa asnjë shpresë rimëkëmbje, një strehë e përkohshme ( me një përkohësi prej 70 vitesh tashmë)  e regjimit të dikurshëm komunist për komunitetin e artistëve të skenës.

Tërmeti, thonë protestuesit, ishte shenjë e Providencës, që tregoi fare mirë se ajo godinë jo vetëm që nuk është e rrënuar, porse i reziston edhe fenomeneve natyrore si lëkundjet tektonike të ndjera dje në Tiranë, me magnitudë 5.1.

Aktori Alert Çeloaliaj u bëri thirrje të gjithëve deputetëve të mazhorancës së këtij legjislacioni duke lexuar emrat e tyre një për një, në të gjithë qarqet. Pas emrave të caktuar vinin edhe brohoritma pakënaqësie nga të pranishmit. 

“Jemi këtu të tregojmë qytetarinë jo të ulërijmë, jemi këtu për të protestuar kundër projektligjit, jo deputetëve” – tha Çeloaliaj, ndërsa me besim shprehej se do të fitojë qytetaria dhe patriotizmi. Edhe nëse jo, do të vijojë rezistenca në nivele të tjera.

Kishte nga ata pjesëmarrës që e vlerësuan protestën për mbrojtjen e Teatrit jo vetëm si gjest qytetarie, si revoltë e sovranit kur dëshmon se kontrata sociale me përfaqësuesit është kompromentuar, por  edhe si akt patriotik.

Aktivisti Erjon Kristo ishte një nga ata që nxiste të pranishmit në këngë si “Për Mëmëdhenë! Shqipëri o nëna ime” , etj.

Për shkrimtarin Rudi Erebara, i cili kishte ardhur në protestë me  një  flamur kombëtar, projektligji për shembjen e Teatrit Kombëtar është një krim kombëtar, tradhti ndaj kombit. Ai u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos e votojnë projektligjin, ashtu siç ka premtuar kreu i opozitës, Lulzim Basha se nuk do e bëjnë ata të Partisë Demokratike.

“Njeriu nuk prish shtëpinë e vjetër për të ndërtuar të renë, nuk rri në rrugë. Teatri nuk prishet për të gjithë historinë e tij dhe është përtej nesh, është ndërtesa me historinë më të  madhe kombëtare në historinë e Shqipërisë.”- tha Erebara, ndërsa shtoi se si laureat i Çmimit Europian për Letërsinë u ka dërguar e-mail të gjithë zyrtarëve që takoi në Bruksel ndërsa pranoi çmimin për t’i njoftuar me atë çka ndodh në Shqipëri, ku cenohet prona publike dhe trashëgimia kulturore.

Të lodhur dukeshin protestuesit, ndërsa të gjithë që merrnin fjalën dukej se kërkonin ndjesë se po  bëheshin përsëritës. Ajo  që sundonte në secilën fjalë ishin notat emocionale, gati lutëse, duke i ftuar deputetët, kryeministrin dhe ministren e Kulturës të  mendojnë për të ardhmen, kur do të jenë qytetarë të thjeshtë si të gjithë, kur mbase do të pendohen e turpërohen për vendimin e marrë në të tashmen.

Ky artikulim mund të ngjante edhe si dorëzim, ku dukej se turpërimi do të qe ndëshkimi i vetëm për të gjithë ata që sot ngulmonin me të vetën se shembja e godinës aktuale dhe ndërtimi i një të reje, me kushte më të mira dhe moderne, ishte më e mira. “Do ua shkruajmë emrat të gjithëve një nga një në kullat që do të ndërtoni, që t’i lexojnë fëmijët tuaj  e  të thonë: “Po me teatri ç’patën xhanëm?”

Gojëtore i quajti kryeministri Rama  të gjithë ata që kundërshtojnë me forcë shembjen e Teatrit Kombëtar, në mbrëmjen e përurimit  të godinës alternative për artet performuese e skenike  “ArTurbina”, e po me të njëjtin term iu përgjigj edhe aktori Ervin Bejleri, duke e quajtur kryegojëtor kryeministrin, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos hidhnin tymuese, pas së vetmes që u hodh në këmbët e radhës së punonjësve të rendit e sikur e shtoi edhe më shumë të nxehtët e padurueshëm. Kishte nga ata që nuk mundën t’i rezistonin deri në fund nxehtësisë, ku as kapelat, as uji i cili mbaroi në kioskat aty pranë e as ombrellat nuk dukeshin se e  bënin më të durueshëm diellin që binte pingul mbi kokat e protestuesve.

Sa ndikim do të kishte kjo protestë, ku deri më tani mbledhjet besnike të çdo dite apo  3200 firmat e mbledhura  kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, dukej se kishin  rënë në vesh të shurdhët?

Neritan Liçaj thotë se kërkuan të çonin një përfaqësues nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që mund të fliste në seancën e së enjtes në kuvend “por na u refuzua me përgjigjen se është një seancë votimi”. Liçaj beson në një tërheqje të kryeministrit Rama, kur këto kohë qeveria duket e zhytur në halle më të mëdha me çështje si Tahiri, Xhafa apo Marrëveshje e Detit.

“Por nëse nuk do të tërhiqen, do të futemi brenda në teatër dhe do të luajmë aty. Nuk mundet t’i vërë rruspën me njerëz brenda”,  thotë ai, ndërsa Aleanca duket se do i drejtohet Presidentit, i cili në rast se miratohet në Kuvend projektligji ka njëzet ditë kohë për ta miratuar apo refuzuar atë.

Ligj ujqëror e quajti aktori Bujar Asqeriu atë për shembjen e teatrit, ndërsa iu lut deputetëve të mos e votonin projektligjin në mënyrë mekanike, por me zemër. “Do ta kuptoni thellë në ndërgjegjen dhe psikikën tuaj se nëse e votoni do otë bëni një hap të gabuar. Dhëmbët  tuaj nëse i ngulen teatrit, nuk do të harrohen kurrë. Mos e kafshoni teatrin!”.

"Dhëmbët  tuaj nëse i ngulen teatrit, nuk do të harrohen kurrë. Mos e kafshoni teatrin!"-Bujar Asqeriu

Në këtë protestë dukej se aktorët po luanin rolin e jetës së tyre. Në dramë, apo më tepër, një tragjedi absurdi, që i bën të dalin në rrugë, të luajnë në rrugë qytetarin të cilit po i shembin shtëpinë, ndërsa transparenca dhe informacioni kanë munguar pothuaj plotësisht.

Me shpresën se ky tubim mund të ishte i fundit që do i jepte fund odisesë nëse bën apo jo  teatri, aktori Vasjan Lami kërkoi që politika të tërhiqet dhe të bëjë një konkurs të hapur, në mënyrë që të flasin ekspertët e arkitekturës.

Turma brohoriti në kor kur përfaqësues të shoqërisë civile pyetën se kush ishte për restaurimin e godinës së teatrit.

Me këtë projektligj bëjnë me zë protestuesit, nuk ndihen të përfaqësuar.  

“A munden të na vjedhin kulturën, trashëgiminë, figurat e shquara të artit shqiptar? A munden të mbyllin një teatër? Çfarë kujtese ngelet? Për çfarë do të flasim më vonë në tekstet shkollore? Çfarë do të përmendim? Ku do të jetë Shqipëria” – u shpreh skenografi Bashkim Zahaj, i cili i është bashkuar kësaj proteste prej kohësh tashmë.  

Deputeti Dashamir Shehi falënderon protestuesit, në emër të artit, kulturës dhe lirisë. “Do jemi këtu dhe do të rezistojmë.” – u dha zemër Shehi të pranishmëve.

Me ndërprerjen e seancës parlamentare nis edhe vrulli i madh i largimeve në rrugën këmbësore  përballë Parlamentit, ndërsa ai grusht njerëzish që mbeten, kryesisht aktorë, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë dëgjojnë në radio  zhvillimet brenda sallës së Kuvendit.

Fjala e ministrit Ahmetaj shoqërohet jashtë me zëra pakënaqësie, ndërsa e vendos truallin afro 10 mijë metra katrorë  që e rrethon godinën e Teatrit Kombëtar  në një logjikë të pastër ekonomike. Teatri do të marrë mbrapsht të njëjtën hapësirë  mbi të cilin ngrihet godina sot, një hapësirë prej më shumë se 1 mijë metrash katrorë, duke përsëritur disa herë, si formë bindëse se kjo nuk do i kushtojë asnjë para buxhetit të shtetit. Pjesa shpirtërore, vlera arkitekturore, historike, trashëgimia kulturore i takojnë ministres Kumbaro, e cila ka folur më herët, për mungesën e të gjitha këtyre në atë godinë.

Brohoritet deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj e cila përgënjeshtroi ministrin Ahmetaj se bëhej fjalë për më shumë se 6 mijë metra tokë publike që do i falej privatit dhe kjo nuk është aspak afër shifrës zero të shpenzimeve, porse bëhej fjalë për vjedhje.

Por projekti i teatrit të ri duket se ka një kleçkë. Duke qëndruar në një formë harku mbi truallin  aktual,  godina do të qëndrojë në ajër dhe nuk do të ketë të njëjtën hapësirë që ka tani, pasi nuk do i ketë themelet në tokë, shpjegon Maks Velo, i cili iu bashkua protestës përballë Parlamentit, duke shtuar se trualli poshtë, në këmbët e teatrit të ri do të shërbejë si rrugëkalim drejt kullave që do të ndërtohen pas tij.

Të lodhur, të etur, me diellin e mesditës që i rriti edhe më  temperaturat, ai grusht i mpakur njerëzish u ul këmbëkryq në rrugë ndërsa vijonin të ndiqnin seancën, me shpresën se kjo marrëzi do të marrë fund dhe atyre nuk do u duhet të përshkallëzojnë protestën, deri në mbylljen brenda mureve të godinës. Atëherë po, qeveria do të vërtetojë se godina vërtet mban!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë