Lojëra me Dore

Rafael Nadal zbarkon në Australi, tenisti spanjoll rikthehet pas gati një viti

Gazeta Si - Në Brisbane sytë janë të gjithë te Rafael Nadal. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Ndal është kthyer, gati një vit pas ndeshjes së tij të fundit. Ishte 18 janar 2023, kur 22 herë kampioni i Slam-eve humbiste në turin e dytë të Australian Open kundër Makenzi MekDonald, për shkak të një dëmtimi që e la jashtë gjithë sezonin.

Tani Rafa riniset nga Australia dhe, para Slam-it të Melburnit do të luajë në 250 të Brisbane, ku ka zbarkuar orët e fundit. Imazhet e para e tregojnë të buzëqeshur spanjollin në aeroport. Nadal ka mbërritur në ‘Queensland Tennis Centre’, selia e turneut, dhe ka nisur stërvitjen në prag të eventit që nis më 31 dhjetor, me finalen më 7 janar.

I buzëqeshur dhe i përqendruar. Rafael Nadal ka shijuar fushën me Holger Rune, kokë serie numër 1 e turneut. Ka qenë vetë tenisti danez që ka postuar një foto në ‘X’. Ata nuk kanë luajtur kurrë kundër njëri-tjetrit, ndoshta tabela i përball në këtë turne.

Duke pasur një ‘wildcard’, spanjolli mund të përballet, përveç Rune, me emra të njohur që janë koka serie, si Dimitrov, Shelton, Humbert, Korda, Baez, Etçeverri dhe Karatsev. Me Nadal në tabelë, në Brisbane pritshmëritë rriten orë pas ore. Mungon shumë pak nga rikthimi zyrtar i mbretit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë