Lojëra me Dore

Rafael Nadal ndalet në çerekfinale, dyshime për spanjollin në prag të Australian Open

Gazeta Si – Është ndërprerë në çerekfinale rrugëtimi i Rafael Nadal në Atp 250 të Brisbane, ku ai rikthehej pas një viti mungesë për shkak dëmtimi. Spanjolli është mundur pas tre setesh, 7-5, 6-7 dhe 3-6 nga ‘i zoti i shtëpisë, Xhordan Tompson.

Ishte një ndeshje maratonë, e lodhshme për Nadal, që në turin paraardhës kishte eliminuar Xhezon Kubler dhe që ndaj numrit 43 në botë iu desh të bënte llogaritë edhe me disa probleme fizike. Seti i parë u kontrollua disi nga Nadal, por kundërshtari ishte vërtet një ‘kockë e fortë’.

Tomson provoi të mbrohej te rrjeta, duke e detyruar spanjollin të të luante fundi i fushës. Nadal rriti xhirot dhe fitoi setin e parë, i dyti vazhdoi i ekuilibruar. Australiani, në një formë shumë të mire, e çoi Nadalin deri te ‘tie-break’. Pikërisht aty Nadal kishte mundësinë ta mbyllte ndeshjen me dy topa, por ia dhuroi setin Tompsonit.

Beteja vazhdoi edhe në setin e tretë, ku Nadal filloi të ndjente lodhje, logjike për shkak të mungesës së gjatë. Pavarësisht një ‘medical break’ të kërkuar nga spanjolli dhe krenarisë së tij, ai nuk mundi ta fitonte setin, që u mbyll 6-3 në favor të australianit. Një humbje kjo që lë pak dyshime në prag të Australian Open për Rafael Nadal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë