Lojëra me Dore

Rafael Nadal “mbret” i Romës për herë të 10-të, mposht Gjokoviçin për 3 orë

Rafael Nadal triumfon në Masters 1000 në Romë, duke mundur Novak Gjokoviçin në finale me 3 sete, 7-5, 1-6 dhe 6-3. Ishte sfida e radhës mes dy tenistëve të kalibrit botëror. Spanjolli fiton trofeun në këtë turne për herë të 10-të në karrierë. Ai reagoi si kampion, pas setit të dytë të dominuar nga numri 1 në botë. Serbi ia dorëzon fronin “mbretit” të dheut të kuq pas një finaleje që zgjati gati 3 orë.

"Të fitoj këtu 10 herë është e jashtëzakonshme, nuk mund ta imagjinoja, - ka thënë Nadal pas ndeshjes. – Kam vuajtur në gjithë turneun, duke synuar nivelin më të mirë në këtë terren, ditë pas dite. Jam shumë i lumtur. Kujtoj herën e parë në finale në Romë, në 2005-ën, një ndeshje që zgjati më shumë se 5 orë kundër Coria. Sot, pas 16 vitesh, jemi sërish këtu. Falënderoj të gjithë njerëzit që më mbështetën dhe organizatorët. Është pa dyshim vendi më i rëndësishëm i karrierës sime".

Gëzimi i Nadal pas fitores ndaj Gjokoviç. Gazeta Si, 16 maj 2021

Pas ndeshjes foli edhe Novak Gjokoviç, i cili theksoi: "Për mua është gjithmonë nder të luaj kundër Nadalit, po bëjmë një karrierë të pabesueshme. Rafa është një nga rivalët më të mëdhenj që kam pasur. Çdo ndeshje është një luftë dhe sot zgjati 3 orë. Mendoj se luajtëm të dy shumë mirë. Përgëzime Rafaelit! Isha shumë afër, për mua ishte shumë e rëndësishme të gjeja lojën në tokë për të shkuar në Paris me motivimin e duhur. Jam i këanaqur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë