Ngjarje

Qytetarët nuk i besojnë drejtësisë, i ankohen Prokurorit të Përgjithshëm në rrugë

Pushteti gjyqësor në Shqipëri vazhdon të jetë një sistem, i cili nuk ofron zgjidhje për qytetarët e tij. Duke parë këtë situatë, shumë prej tyre kanë preferuar t’i zgjidhin këto halle në mënyrë të pazakontë, në mes të rrugës, pasi nuk kanë besim te institucionet ligjore.  

Siç ka ndodhur këtë të hënë në Fier, ku disa prej tyre kanë përfituar nga vizita e kryeprokurorit Olsian Çela në prokurorinë e këtij rrethi.

Në fakt, lajmi se kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, do zhvillonte një takim në Prokurorinë e Fierit, ka mbledhur para dyerve të saj disa qytetarë.

Me të mbërritur, ata i zunë rrugën, duke iu ankuar për probleme të ndryshme për të cilat nuk kishin marrë zgjidhje. Mes tyre ishte dhe Dallëndyshe Metaj, djali i të cilës, u aksidentua për vdekje në shtator të vitit 2020.

Nëna e viktimës, iu ankua Çelës teksa po futej në godinën e prokurorisë, se organi lokal i akuzës po zvarrit hetimet. Çela ka ndaluar, e ka dëgjuar dhe i ka premtuar se problemi do të ndiqej në rrugë ligjore. Në një komunikim me gazetarët, qytetarja Dallëndyshe Meta ka ngritur shqetësimin e saj para kamerave.

"Jam nëna e Qani Metajt, i cili para 8 muajsh u shtyp brutalisht me makinë dhe u la në rrugë i vdekur pa asnjë ndihmë nga autori që u kap po atë ditë në 8 të mëngjesit. Po bëhen 8 muaj që nuk është bërë asgjë. Nga prokuroria dhe avokatët e mi, më kanë thënë se jemi në procedurë e sipër. I jemi drejtuar ILD, më thanë se për 15 ditë do të merrni përgjigje, sot kanë kaluar 15 ditë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk është mbyllur akoma hetimi. Nuk po shoh drejtësi, kërkoj të mbyllen hetimet dhe të vazhdojë gjyqi. Kërkoj drejtësi, asgjë më shumë. Sipas meje po lihet pas dore se këtu ka korrupsion", - tha ajo për mediat.

Për vdekjen e 28-vjeçarit policia arrestoi Klaus Mahmutajn për “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

Një tjetër qytetar që ka probleme pronësie, për të cilën thotë se vijon gjyqet prej 15 vitesh, iu ankua kryeoprokurorit, duke i treguar edhe disa dokumente.

"Bëhet për familjen time, më kanë bërë pallatet rreth shtëpisë. Tani fola me kryeprokurorin dhe tha më jep shkresat. Besim vetëm te Zoti, se ka 15 vjet kjo punë dhe asgjë. Gjyqtarja thotë heto, prokurori thotë pusho. Nuk ka drejtësi dhe asgjë".

Edhe bashkëshorti i Elisabeta Lamajt, e cila ndërroi jetë gjatë lindjes në maternitetin e Fierit, ka ndaluar kryeprokurorin Olsian Çelaj, teksa ky i fundit po largohej pas deklaratës që dha për mediat në lidhje me krimet zgjedhore në Fier.

Bashkëshorti i të ndjerës ka kërkuar ndihmën e kryeprokurorit mbi zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Elisabeta Lamajt, duke pretenduar se prokuroria e ka neglizhuar këtë çështje, pasi mjekët që sipas tij janë fajtorë për vdekjen e Elisabetës, nuk po hetohen dhe janë ende në punë.

“Jam bashkëshorti i Elisabeta Lamajt që ka ndërruar jetë në spital në  datën 10 prill. Mjekët janë në punë, askush nuk më ka pyetur nga prokuroria, të gjithë e kanë neglizhuar këtë çështje. Deri sot kam bërë kërkesë të hënën e parë për të bërë takim me prokurorin,  askush nuk më ka thirrur. Kërkoj ndihmën tuaj”, - i është drejtuar ai Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas kërkesës së bashkëshortit të së ndjerës, kryeprokurori Çela iu përgjigj se do i kërkojë drejtueses së prokurorisë të zhvillojë një takim në mënyrë që të paraqesë pretendimet e tij.

Elisabeta Lamaj ndërroi jetë më 10 prill teksa po sillte në jetë vajzën e dytë të çiftit. Familjarët  kanë akuzuar mjekët për vdekjen e saj dhe madje kanë protestuar para Prokurorisë në Fier, duke pretenduar se çështja po neglizhohet.

Sipas raporteve lokale dhe ndërkombëtare, ndër arsyet kryesore të mosbesimit te drejtësia shqiptare, qytetarët tregojnë se janë politizimi dhe korrupsioni i lartë i zyrtarëve të këtij sistemi.

Jo rrallë herë, ka pasur raste kur prokurorë dhe gjyqtarë janë hetuar dhe shpallur fajtorë për shkelje të ligjit që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në humbjen e besimit të qytetarëve te organet e drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë