Ka ndodhur

Qindra makina bllokohen në ‘by-passin’ e Rrugës së Arbrit dy ditë para hapjes (Foto)

Rreth 200 makina kanë mbetur të bllokuara pasditen e të shtunës në Qafë Murriz, në by-passin e Rrugës së Arbrit që lidh Zall Bastarin në Tiranë me Xibrin në Klos.

Qytetarët e kanë shpërfillur njoftimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, e cila më 23 nëntor njoftonte se "Rruga e Arbrit vijon të jetë e mbyllur deri më 29 nëntor”.

Një veprim i nxituar dhe aspak konform rregullave të kompanisë, duke u përpjekur ta”inagurojnë” rrugën e re dy ditë para hapjes zyrtare.

“Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Peshkopisë dhe anasjelltas, të vijojnë të frekuentojnë akset e tjera rrugore lidhëse me Tiranën deri më datë 29.11.2021, pasi RRUGA E ARBRIT VIJON TË JETË E MBYLLUR. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve deri në njoftimin e radhës për qarkullim në Rrugën e Arbrit”, - thuhej ne njoftimin e kompanisë "Gjoka Konstruksion", të shpërndarë për median më 23 nëntor si dhe të botuar edhe në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Por pavarësisht nga ky njoftim, këtë të shtunë (27 nëntor, 15:00) në by-passin e rrugës, në Qafë Murriz, qindra makina janë duke pritur me shpresën e hapjes së rrugës, ndërkohë që policia e ka bllokuar atë.

Disa drejtues mjetesh kanë dalë në korsinë tjetër, çka e ka bërë të pamundur edhe kthimin mbrapsht.

Policia është e pranishme në vendngjarje, por për momentin akoma nuk ka një zgjidhje. Koha e keqe me shi ka vënë në vështirësi disa udhëtarë, të cilët kanë edhe fëmijë me vete.

Ashtu siç është njoftuar, qarkullimi në Rrugën e Arbrit do të nisë më 29 nëntor 2021 dhe do të shkurtojë rrugën për Klos me 70 km. Nga km 0 në dalje të Tiranës deri te ura në Klos, distanca tashmë është vetëm 35 km.

Me hapjen e rrugës në datën 29 nëntor, Burreli, Klosi, Bulqiza dhe Peshkopia do të jenë larg nga kryeqyteti vetëm dy orë. Rruga e Arbrit përfundon në Bllatë në kufi me Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë