Nga Gazeta ‘SI’ - Qeverisja në Shqipëri është përkeqësuar vitet e fundit, duke u vlerësuar dhe me pikët më të ulëta në rajon, pas Bosnje Hercegovinës.
Matur nga BERZH, në raportin e Tranzicionit, qeverisja e Shqipërisë për vitin 2023 vlerësohet me 4.71 pikë nga 5.28 në vitin 2016. Raporti e përmend Shqipërinë si një nga vendet e rajonit me ecurinë më të keqe të treguesit të qeverisë, krahas Polonisë, Moldavisë dhe Bosnjës. Pa përmendur shtete, BERZH thekson se përkeqësimi i qeverive në të gjithë Europën është e lidhur me masat minimaliste për pastrimin e parave, rritje të korrupsionit dhe liri të kufizuara të medias.
Shqipëria performon më keq se vendet e tjera edhe në treguesin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe përpjekjet për t’u kthyer “green”, me 4.71 pikë, pa ndryshime që nga 2016-a. Edhe në treguesin e “elasticitetit” ku bëhet fjalë për rimëkëmbjen ekonomike pas një goditje, Shqipëria vlerësohet më e dobëta, pas Kosovës me 4.85 pikë. Nga 2016-a, pikët janë rritur lehtë.
Vendi jonë ka patur progresin më të shpejtë në treguesin e përfshirjes, që nënkupton rritjen e numrit të grave në vendin e punës, përfshirjen e komuniteteve, aksesi në teknologji dhe shërbime digjitale etj. Nga 4.63 pikë në 2016-n, Shqipëria vlerësohet me 5.22 në 2023-shin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.