Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, njoftoi mediat pas mbledhjes së qeverisë, se është miratuar një draftligj për rikthimin e Forcës Rezerviste të Shqipërisë.
Vëngu tha se ky vendim ka ardhur si pasojë e situatës globale, por edhe si një plotësim i standardeve të NATO-s.
“Ka lindur nevoja që të krijojmë forcën rezerviste. Kjo i jep mundësi ushtarakëve aktivë, që kanë vendosur për arsye të ndryshme që të zhvillojnë karrierën në privat, i japim mundësinë të rikthehen në Forcat e Armatosura me misione specifike dhe të japin kontributin e tyre për misione specifike me detyrime gjithashtu që mund të mbulojnë misione paqeruajtëse apo në rajon.
Ne synojmë që fillim fillimviti i ri të na gjejë duke hedhur hapat e para drejt krijimit të Forcës Rezerviste”, u shpreh ministri Vëngu.
Ministri u shpreh se 15.5 mln euro do të shkojnë për këtë vendim.
“Kemi një paketë financiare të dedikuar në buxhetin 2025 për forcën e rezervistëve, 15.5 milionë euro si edhe një angazhim të mëtejshëm në vitet në vijim. Ne kthehemi në standardet e NATO-s dhe bëhemi një forcë e armatosur më tërheqëse, po kjo bën që forcat e armatosura të kenë një gamë personeli më të gjerë në funksion. Ne i konsiderojmë ato kapacitete kombëtare.
Një pjesë e mirë e inxhinierëve, teknikëve që ka vendi ynë kanë mësuar funksionet më të rëndësishme te Forcat e Armatosura dhe e natyrshme që të jemi më atraktivë në funksionet me teknicitet të lartë dhe njohuri të thella, me elementë kibernetikë apo mbrojtjen civile”, përfundoi ministri i Mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.