Politike

Qeveria miraton pr.ligjin për Amnistinë dhe Sigurinë e re Kombëtare. Kalojnë në parlament

Nga Gazeta 'SI' - Qeveria ka miratuar projektligjin për amnistinë, i cili tashmë është depozituar në Kuvend. Ministri i drejtësisë Ulsi Manja tha në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, se rreth 600 të dënuar do të përfitojnë e do të munden të kalojnë festat pranë familjarëve.

“Doja të falënderoja kolegët në qeveri që votuan pr.ligjin për dhënien e amnistisë. Ky pr ligj do depozitohet në kuvend dhe fjalën e kanë deputetet që duhet të japin votën e tyre shumicë e cilësuar për kalimin e pr ligjit për dhënien amnistie. Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvend përfitojnë rreth 600 persona të dënuar që t’i kalojnë festat pranë familjarëve. Projektligji për dhënie amnisti është në Kuvendin e Shqipëri”, tha Manja.

Pak ditë më parë Ministria e Drejtësisë i përcolli qeverisë draftin final të amnistisë në burgje e cila do të ketë 620 përfitues të dënuar.

Kreu i dikasterit, Ulsi Manja tha se dokumenti që do shqyrtohet në qeveri, ka reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë amnistinë edhe më të plotë si dhe duke rritur numrin e përfituesve. Në total, dokumenti i amnistisë ka tetë nene dhe gjashtë faqe, ku përcaktohen përfituesit, por edhe personat e përjashtuar nga përfitimi prej saj.

Kush janë përfitues nga amnistia?

Sipas nenit tre të draftit, përjashtohen nga vuajtja e dënimit të dënuarit meshkuj me vendime të formës së prerë të dhëna deri në 20 nëntor 2023, deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Përfituese janë edhe të dënuarat femra deri në 30 nëntor 2023, me vendim të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Në listën e përfituesve janë edhe meshkujt të cilëve u kanë mbetur edhe 3 vjet dënim në momentin e hyrjes në fuqi të amnistisë, si dhe femrat të cilave u kanë mbetur edhe 4 vjet. Po kështu, përfitojnë të dënuarit meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç dhe gratë baras ose mbi moshën 50 vjeç si dhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Po ashtu, qeveria ka miratuar edhe Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, në kuadër të zhvillimeve të reja gjeopolitike.

Strategjia synon të pasqyrojë, në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, sfidat dhe kërcënimet kryesore për Sigurinë Kombëtare të vendit tonë, si edhe përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023-2028.  Ky dokument i rëndësishëm strategjik pason atë të vitit 2014, i cili, për vetë zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, nuk i përgjigjet më sfidave të sigurisë me të cilat përballët aktualisht vendi ynë” deklaroi zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë