Kosova

Qeveria e Kosovës subvencionon kreditë e bizneseve prodhuese

Qeveria e Kosovës ka prezantuar dy nga masat e Pakos së ringjalljes ekonomike, të cilat do të subvencionojnë kreditë për bizneset prodhuese dhe mbështetjen e eksportit.

Shuma e ndarë për këto dy masa është afër 40 milionë euro.

Ministri i Financave,Hekuran Murati, tha se qëllimi i këtyre masave është inicimi i një lokomotive prodhuese, e cila ka si qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Në kuadër të pakos, masa 2.1 parasheh mbështetjen e prodhuesve vendorë në subvencionim të kredive deri në 20 përqind të shumës totale të kredisë.

Maksimumi i lejuar për subvencionim është 400 mijë euro, që, sipas ministrit Murati, nënkupton që të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro për bizneset prodhuese që duan t’i shtojnë kapacitetet, do të mbështeten me 20 përqind.

Për të përfituar nga ky subvencionim, parashihet që së paku 50 përqind e investimit të jetë në pajisje për zgjerim të kapaciteteve, kurse shpenzimet tjera mund të jenë shpenzime mbështetëse për kapacitete prodhuese.

Subvencionimi do të bëhet në dy pjesë.

Pjesa e parë prej 15% të vlerës së kredisë do të bëhet në rastin kur është arritur investimi i planifikuar. Kurse, pjesa e mbetur prej 5% do të transferohet në llogarinë e biznesit në momentin kur për shumën e njëjtë janë paguar pagat e punëtorëve të rinj që janë punësuar.

Deficiti i lartë përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.

Në vitin 2020, vlera e eksportit të mallrave ka qenë rreth 475 milionë euro, derisa importi i mallraveishte 3.2 miliardë euro.

Ndërkohë, ministri Murati tha se pasi të jetë bërë ngritja e kapaciteteve prodhuese si rezultat i këtyre investimeve, synimi është t’i mbështesin prodhuesit edhe në hallka tjera të prodhimit dhe eksportit.

“Kemi paraparë të mbështesim me grante dhe subvencionime secilin biznes prodhues në shumë deri në 20 mijë euro për trajnim të stafit teknik që merr pjesë në procesin e prodhimit si kimist, teknolog të ushqimit e të tjerë”, tha Murati.

Masë tjetër, ka shtuar Murati, është për ndihmë financiare deri në 50 mijë euro për brendin apo për ribrendim të produktit.

Të gjitha bizneset, të cilat kanë marrë kredi nga data 1 tetor dhe i plotësojnë kushtet nga masat e paraqitura, mund të aplikojnë për mbështetje.

Për të përfituar nga këto masa, bizneset duhet të aplikojnë në Administratën Tatimore të Kosovës.

Ky aplikim do të jetë i hapur deri në fund të qershorit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë