Menaxhim

Qeveria do të ndërhyjë tek bashkitë e mbytura në borxhe. 2 vite kohë për rikuperim

Nga Gazeta 'SI' - Ministria e Financave do të ndërhyjë tek arka e bashkive me probleme financiare me anë të një plani masash. Keqmenaxhimi i parave nga njësitë vendore ka detyruar qeverinë ta rregullojë atë me anë rë një ligji.

Sipas ligjit të botuar dhe në Fletoren Zyrtare, bashki me probleme financiare quhen ato me detyrime të papaguara sa 15% e shpenzimeve vjetore në muajin e caktuar apo mbi 20% e muajit pasues.

Në vështirësi financiare quhen bashkitë me detyrime 20-25% të shpenzimeve vjetore dhe në vështirësi serioze financiare kur borxhet arrijnë 80% të shpenzimeve.

Edhe pse qeveria pati njoftuar se nuk ka më bashki në rrezik falimentimi, në ligj njihet edhe kategoria me paaftësi paguese, kur detyrimet kaloj 130% të shpenzimeve.

Krerët e bashkive analizojnë situatën financiare të njësisë dhe ia raportojnë atë ministrisë,  bashkë me arsyet e vonesave. Në rast se ta bëjë vetëm me detyrime të vonuara, bashkitë do të marrin plan masash për ‘disiplinim buxhetor’ që nga mbledhja e taksave deri tek ulja e shpenzimeve.

Në rast se bëhet fjalë për një bashki me paaftësi paguese qeveria emëron atje një administrator për të nxjerrë nga situata bashkinë. Administratori bashkë me kryetarin e njësisë ka kohë 2 vite të rikuperojë financat e bashkisë.

Bashkitë mund të përdorin asetet vendore për të shlyer borxhet, por nuk mund të marrin borxhe të reja. Në çdo rast thotë ligji, duhet të sigurohet se pavarësisht borxhit, bashkitë janë ende në gjendje të kryejnë shërbimet minimale publike.

Katër nga 61 bashkitë e vendit janë në vështirësi financiare momentalisht, Dimali, Vora, Kavaja dhe Cërriku të cilat kanë një stok të lartë të detyrimeve të prapambetura, mbi 25% të shpenzimeve vjetore. Më problematikja është ajo e Kavajës, ku detyrimet e 2022-shit ishin sa 65.7% e buxhetit të vitit ose rreth 840 mln lekë. Detyrimet e bashkisë së Vorës në vitin 2022 ishin sa 39% e shpenzimeve të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë