Politike

Qeveria dhe fondacionet ndajnë hartën e rindërtimit, por mosbesimi mbetet i madh

Qeveria nuk arriti që të bindë fondacionet që kanë grumbulluar miliona euro në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit që të bashkojnë në një shumë të vetme paratë e grumbulluara dhe për të shmangur që të ketë përplasje mes tyre vendosi që të ndajë gjeografikisht zonat e operimit të secilit fondacion.

Sipas ndarjes së bërë publike në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit fondacionet do të përqëndrohen në zonat rurale të Tiranës, Durrësit, Krujës, Laçit dhe Lezhës.

“Mund të bëjmë një ndarje me tre fondacionet më të mëdha në gjithë këtë, që të mos shpërndahen, që të kenë territore të fokusuara për banesat individuale. Kur të bëhen komplekse të mëdha pastaj janë të mirëpritur që të marrin pjesë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Por jo të gjithëve do t’u rindërtohet shtëpia aty ku e kishin. Kryeministri sinjalizoi se duhet shfrytëzuar mundësia që ndërtimet të bëhen me plan urbanistik, ku shteti do të bëhet pjesë vetëm përmes infrastrukturës, ndërsa banesat do t’u lihen në dorë fondacioneve. Për të bindur banorët për t’u zhvendosur sipas planeve urbanistike që do të miratohen, Rama kërkoi ndihmën e fondacioneve.

“Do ta ndajmë bashkarisht këtë barrë sepse ne do të marrim pjesë me infrastrukturën, por të fillojmë me banesat individuale ndërkohë që bëjmë planet. Ata që kanë banesat individuale në parcelat e tyre, të pranojnë një plan urban, të krijohet një qytezë e vogël aty, siç duhet dhe e mbledhur dhe parcelat të vazhdojnë t’i përdorin pa patur shtëpinë në mes të parcelës. Do të jetë lehtësim i madh pjesëmarrja juaj, sepse kjo kërkon shumë komunikim me njerëzit dhe këtë nuk mund ta bëjnë as zyrtarët bashkiakë dhe as firmat. Kjo kërkon bashkëpunimin e Qeverisë me ju”, u shpreh Rama.

Zonat rurale përreth Thumanës iu besuan fondacionit “Firdeus” të Elvis Naçit. Ky i fundit premtoi transparencë maksimale në shpenzimin e fondeve të mbledhura prej këtij fondacioni dhe nuk përjashtoi përfshirjen edhe tek ndërtimet e pallateve.

“Kemi arritur në kuotën e 6.37 mln euro dhe synojmë të shkojmë drejt 10 mln euro. Kam qenë në Thumanë dhe ata na thonin pse nuk filloni. Sot (të hënën) morëm sinjalin e parë që shtëpitë individuale mund t’i ndërtojmë, por gjithmonë duke raportuar për familjen që stabilizohet. Pasi të bëhet projekti i madh për komplekset e pallateve do të kemi dëshirë të ndërhyjmë edhe këtu. Kemi komunikim me shumë kompani ndërtimi, që nuk kanë kesh, por kanë mundësinë që si firma ndërtimi të japin kontributin e tyre”, deklaroi Naçi.

Si përfaqësues i fondacionit “Firdeus”, Naçi kërkoi e premtoi edhe mbikëqyrje të shpenzimeve që do të realizojë qeveria në këtë aksion.

“Ne si fondacione do t’i shikojmë edhe njëherë, jo për gjë, por sepse kemi pak qejf ne si shqiptarë që edhe çuni i xhajës ta ketë një shtëpi të dytë. Do t’u hedhim një sy që donacionet t’u shkojnë atyre që u takon”, tha ai.

Rama e mirëpriti ofertën e Elvis Naçit, duke deklaruar se mes personave vërtet të prekur nga tërmeti ka edhe abuzues.

“Duhet bërë kujdes për invetarin, sepse ka shenja spekulantësh dhe mashtruesish. Ka disa që po u bien me vare shtëpisë së tyre, sepse mendojnë se do na i bëjë Qeveria dhe Elvisi. Ju me këtë na jepni ndonjë ndihmë, sepse nëse i them unë këto duket sikur po u shmangim përgjegjësisë dhe po lënë njerëzit jashtë”, u shpreh Rama.

Qëndrimi i Elvis Naçit për transparencë u mbështet nga përfaqësuesi fondacionit “Fundjave Ndryshe”, Arbër Hajdari, të cilit iu besua Tirana, ndërsa zonat rurale në Durrës e një pjesë të Lezhës iu besuan fondit “Rrënjët Shqiptare” të Marin Memës.

Qeveria nga ana tjetër tha se do të vendosë në dispozicion 200 milionë dollarë nga buxheti i vitit të ardhshëm. Shuma do të jetë e auditueshme, sipas Arben Ahmetajt, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ahmetaj, si kryetar i Komitetit të Rindërtimit deklaroi gjithashtu se projektligji për rindërtimin i jep instrumentat Qeverisë që të mos kufizohet vetëm tek emergjenca, por të reagojë edhe në afatgjatë ndaj përballimit të pasojave të emergjencave.

Po në këtë mbledhje, Rama udhëzoi si ministrat e tij, ashtu edhe fondacionet që për çdo ndihmë për informacion mbi procesin e rindërtimit të adresohen tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Për anëtarët e kabinetit dhe të tjerët, Komiteti është struktura programuese që bën të gjitha propozimet, ndërsa struktura ekzekutive është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për çdo nevojë dhe informacion ta kemi të përqëndruar informacionin. Fondi po ndërton një regjistër, ku të gjithë edhe japin informacionet e tyre, edhe marrin. Fondi do të jetë koordinuesi i të gjitha institucioneve, planifikimi e të tjera. Secili në pjesën e vet merr atë që do dhe jep atë që ka të bëjë me atë fushë”, u shpreh Rama.

E gjithë mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit nxorri në pah jo vetëm mosbesimin e fondacioneve tek Qeveria sa u takon shpenzimeve të fondeve të grumbulluara për pasojat e tërmetit, por edhe trajtimin që Kryemininstri Edi Rama u bëri këtyre fondacioneve, sikur të ishin shtojcë e kabinetit të tij qeveritar.

Fondacionet jo vetëm që do të rindërtojnë sipas buxheteve dhe zonave përkatëse gjeografike që ranë dakord, por do të kenë akses tek të dhënat shtetërore të të dëmtuarve dhe tek kontrolli dhe verifikimi sesi qeveria shpenzon paratë e taksapaguesve shqiptarë për pasojat e tërmetit, një detyrë që në një situatë normale do të duhej ta kryenin institucionet e tjera shtetërore që paguhen për këtë punë.

Në këmbim të pavarësisë për të menaxhuar vetë fondet e grumbulluara dhe të aksesit tek mënyra sesi do të shpenzojë paratë e saj për viktimat e tërmetit, fondacionet duket se kanë pranuar ndarjen gjeografike të bërë nga Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë