Lajme

Qeveria centralizon shpronësimet, objekt edhe toka bujqësore

Qeveria ka kaluar në mbledhjen e saj të fundit projektligjin që centralizon shpronësimet në një agjenci të vetme. Projektligji që ndryshon ligjin aktual “për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik” ngre Agjencinë Shtetërore të Shpronësimeve.

Kjo Agjenci do të marrë kompetencat e shpronësimit të të gjitha ministrive. Këto kompetenca deri më tani ishin të shpërndara sipas punës publike. Si shembull, nëse Ministria e Arsimit do të kërkonte që të shpronësonte një pronë private për ndërtimin e një shkolle, atëherë ajo ishte ministria kompetente për të gjithë procesin e shpronësimit.

Por, me ndryshimet e reja, kjo kompetencë i kalon Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve, që nga ana e saj vetë është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo do të thotë se shpronësimet tashmë kalojnë që të gjitha nga Ministria e Infrastrukturës.

Përveç kësaj, ndryshimet zgjerojnë edhe objektin e shpronësimit. Ligji aktual cilëson si objekte të shpronësimit pasuritë e paluajtshme në formën e tokës, të ndërtimeve të çdo lloji, me karakter të përhershëm, pasuritë e luajtshme me vlerë historike, arkeologjike, kulturore ose shkencore dhe objekte të luajtshme e të paluajtshme, që për shkaqe objektive, ose forcë madhore, krijojnë rrezik të përhershëm për sigurinë dhe shëndetin publik.

Me propozimin e ri, veç këtyre kategorive si objekt shpronësimi mund të jenë edhe kulturat bujqësore, përfshirë këtu drufrutorët e vreshtat dhe çdo investim tjetër në tokë bujqësore.

Projektligji në fjalë është qortuar nga opozita, që thotë se ky propozim, bashkë me ligjin për Korporatën e Investimeve, i kthyer nga Presidenti Meta për shqyrtim në Kuvend si antikushtetues, nuk kanë qëllim tjetër përveçse grabitjen e pronës publike e private dhe shpërndarjen e këtyre pronave për oligarkët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë