Ngjarje

“Qethet” lista, 18 emra në garë për kreun e BKH-së

Gara për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit është reduktuar në 18 kandidatë për në fazën e dytë, nga 40 emra që aplikuan në fazën e parë.

Komisioni i ngritur për vlerësimin e kandidaturave ka publikuar këtë të hënë listën me kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për të drejtuar këtë strukturë, që është njëra nga shtyllat kryesore të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Mes emrave që vazhdojnë garën shquhen emrat e drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, ish-drejtuesit të Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, që aktualisht drejton strukturën e mbrojtjes së dëshmitarëve në Policinë e Shtetit, zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Veizaj, kreu i Task-Forcës “Forca e Ligjit”, Artan Shkëmbi, zv.drejtori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe kreu i Policisë Kufitare, Eduart Merkaj.

Mes emrave të skualifikuar shquhet ai i Krenar Ahmetit, ish-drejtues i Policisë Rrugore gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Në fazën e parë të konkurrimit ishin shtatë gra kandidate, ndërkohë që pas përzgjedhjes dhe skualifikimit të 22 emrave, emri i tyre është reduktuar në vetëm tre, përkatësisht Aida Veizaj, Blerina Bajollari dhe Lindita Nushi.

Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave përbëhet nga kreu i SPAK, Arben Kraja dhe dy prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra.

Pas procesit të përzgjedhjes së drejtuesit të BKH-së pritet që të fillojë plotësimi i kësaj strukture me 60 hetues, që do të ndihmojnë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme në hetimin e dosjeve të bujshme të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë