Opinion

Qetësia në Ballkan varet nga ekonomia, jo vetëm nga politika

Vitin e kaluar, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Yee, zhvilloi një sërë vizitash të nivelit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto shtete janë dëmtuar nga skandalet e korrupsionit dhe qëndrimet qeveritare që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha rreth efektivitetit të ndihmës amerikane. Përpjekjet e Yee kanë dhënë disa rezultate pozitive. Por ato gjithashtu e bënë të qartë se diplomacia amerikane nuk mund të ofrojë zgjidhje afatgjata për problemet politike dhe ekonomike të rajonit.

Pas vizitës së Yee në Shkup më 29 prill, Gjorge Ivanov, presidenti i Maqedonisë, më në fund i dha partisë opozitare një mandat për të formuar një qeveri, pas një krize pesë mujore që e la vendin në vendnumëro.

Pas vizitës së Yee në 15 maj në Tiranë, partia opozitare shqiptare, ajo demokratike,  ra dakord të marrë pjesë në zgjedhjet kombëtare, që janë planifikuar të mbahen në fund qershorit.

Megjithatë çelësi i stabilitetit në Ballkan nuk është pajtimi i partive politike për të punuar së bashku, por ofrimi dhe sigurimi i vendeve të reja të punës në sektorin privat, për të ofruar kështu edhe një kundërpeshë ndaj ndjenjës së ringjallur nacionaliste.

Rasti ekonomik për të ndihmuar Ballkanin bëhet më i qartë kur merret parasysh konglomerati kroat “Agrokor”, i cili është në prag të kolapsit. “Agrokor” punëson mbi 60,000 njerëz në të gjithë rajonin dhe afërsisht 2,5 për qind të fuqisë punëtore të Kroacisë dhe në mënyrë të tërthortë punëson mbi 150,000 njerëz në të gjithë rajonin nëpërmjet furnizuesve. Zhdukja e saj mund të ketë pasoja të përhapura për punësimin, rritjen ekonomike, marrëdhëniet rajonale dhe besimin e investitorëve të huaj.

 Si ka ndryshuar punësimi në Ballkan përgjatë viteve 

Shkalla e papunësisë në Ballkan është tashmë mjaft e lartë dhe numri i të rinjve të papunë është edhe më i lartë. Nivelet e papunësisë variojnë nga 12 për qind në Kroaci deri në 25 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe shifrat arrijnë deri në 30 deri 67 për qind për të rinjtë. “Çuditërisht”, vitet e fundit,  nga 20 deri në 40 për qind e popullsisë së këtyre vendeve  jetojnë jashtë vendit.

Në këtë sfond paqëndrueshmërie politike dhe ekonomike, vende si Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia po bëjnë investime në biznes, infrastrukturë, energji, media dhe arsim. Ky angazhim ekonomik rrit ndikimin e tyre dhe nganjëherë pengon objektivat e SHBA –së për nxitjen e qeverive transparente që mbështeten nga sundimi i ligjit dhe tregjet e lira.

Ndërhyrja e Rusisë në veçanti mund të jetë destabilizuese, siç dëshmohet qartazi edhe nga dominimi i mediave pro-ruse në Serbi, përpjekjet për të penguar pranimin e Malit të Zi në NATO dhe rolin e saj në krizën politike në Maqedoni. Dezinformimi i “mirë-ushqyer” nga Moska dhe tensionet në Maqedoni kanë ndezur nacionalizmin në një rajon që ka nevojë të madhe për stabilitet dhe integrim.

Vendet e pasura të Gjirit të Arabisë dhe Turqia po e zgjerojnë shtrirjen e tyre ekonomike në Bosnje- Herzegovinë dhe Kosovë, duke blerë prona dhe ndërtuar filiale kompanish. Këto iniciativa ekonomike dhe zhvillimore kanë një ndikim pozitiv në vendet individuale.

Presidenti Erdogan gjatë një takimi me Presidentin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi

Por duket se paqëndrueshmëria e negociatave për anëtarësimin në BE, rritja e ndikimit të huaj, paqartësia e krijuar nga papunësia e lartë dhe manipulimet politike të sektorëve qeveritarë  po mbajnë peng Ballkanin.

 Megjithatë zgjerimi i sektorit privat, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka potencial për të siguruar një të ardhme më të mirë për shumë të rinj të arsimuar, Zhvendosja e pushtetit larg qeverisë mund të ndihmojë në krijimin e një shoqërie më të larmishme, duke krijuar mundësitë  për të luftuar papunësinë, pakënaqësinë dhe joshjen nga ekstremizmit.

Shumë të rinj ballkanas flasin anglisht. Qendrat e teknologjisë dhe sipërmarrjes në Evropën Juglindore tashmë janë duke tërhequr të rinjtë ambiciozë. Zonat kohore janë gjithashtu në avantazhin e rajonit, jo vetëm për tregjet e Evropës Perëndimore, por edhe për ato në SHBA , që përballen me një ndryshim kohor prej 12 orësh me kompanitë e IT-së në Indi. Sfida është krijimi i një sistemi të aftë për të përmbushur kërkesat e kompanive globale.

“Për fat të keq, qeveritë dhe sistemet arsimore në shumë shtete të Ballkanit janë të ngadalta”.

Universitetet po “rritin” avokatë dhe ekonomistë, por jo menaxherë dhe drejtorë. Programet e qeverisë ekzistojnë, por në përgjithësi janë nevojat e sipërmarrësve ato që po udhëheqin rrugën. “BIT Aleanca”, një kompani softuerike në Bosnje dhe Herzegovinë, zhvilloi një kamp të rreptë dhe konkurrues për të përgatitur punëtorët e tyre të ardhshëm.

Gjithashtu disa qendra në Sarajevë dhe Zagreb, po kryejnë trajnime për biznes dhe “IT”.

Shfrytëzimi i diasporës ballkanike në SHBA, Evropë, Australi dhe më gjerë do të sigurojë qasje në kapital dhe njohuri të nevojshme për të filluar bizneset e reja në rajon nga ata që kanë interes për zhvillimin e saj. Turneu i fundit ballkanik i Yee ishte i domosdoshëm për ti dhënë fund paqëndrueshmërisë politike, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdueshme të shtrirjes së lartë politike nga Uashingtoni. Por kjo nuk adreson disa faktorë themelorë që mund të çonin në trazira edhe më të mëdha .

Ballafaqimi me probleme më të thella si papunësia e të rinjve kërkon zgjidhje ekonomike, jo vetëm ato politike./World Politics Review (WPR)/

 

Më Shumë