Nga Sorgena Leka – Sot(1 qershor) është zyrtarisht dita pa qese plastike njëpërdorimshme nëpër markete.
Një shitës në Rrugën Abdyl Frashëri tregon për Gazetasi.al se deri në momentin që po flisnim (rreth orës 11:00), 3 klientë kanë shkuar për të blerë produkte por i kanë lënë ato kur u ka thënë se nuk ka qese.
“Ishin të rinj dhe donin fruta. Pasi i peshuan, ju thashë se nuk ka qese dhe i lanë sepse nuk kishin si ti merrnin. Tani jam i detyruar që tu them që në fillim se nuk ka qese që mos të humbin kohë. Nuk kam çfarë bëj”, thotë ai.
Ai tregon se të moshuarit ndërkohë kanë pasur trasta me vete.


Një tjetër shitës fruta perimesh ka marrë qese të trasha, mbi 70 mikron që lejohen, por për disa ditë, derisa të harrohet si gjë.
“Nuk marr dot qese shumë përdorimshme sepse nuk ia dal dot me shpenzimet. Me kaq sa kam marrë kam harxhuar më shumë se 4500 lekë dhe këto do mbarohen për 2-3 ditë”, thotë shitësi rreth 50 vjeç.
Shitës të tjerë kanë vendosur që qeset shumë përdorimshe ti shesin me 10 lekë copën.

Qytetarët kanë marrë si alternativë nga Ministria e Mjedisit trastat prej lecke, por të moshuarit shprehen për Gazetasi.al se kjo është një zgjidhje e pakuptimtë edhe pse ato do përdorin në vijimësi.
“Po plehrat si do ti hedhim? (Plehrat do të lejohen që të hidhen vetëm me qese të zeza 10 kg). Në shtëpinë time bëhen mbeturina çdo ditë dhe shumica e tyre janë ushqime dhe gjëra që duhet patjetër ti hedh atë ditë. I bie të hedh çdo ditë mbeturina me qese të mëdha të zeza? Në shtëpi nuk i mbaj dot sepse janë ushqime”, thotë një qytetare e moshuar. Një tjetër e moshuar që shoqërohej me të thotë për Gazetasi.al se ka vendosur të marrë trastën por blerja me trastë është kthyer për të në një stres të madh.
“I futa perimet në trastë e më pas duhej ti nxirrja të gjitha nga trasta dhe ti ndaja që ti peshoja. Më pas duhej ti fusja përsëri në trastë ku përsëri do ti nxjerr dhe ti ndaj kur të iki në shtëpi. Është kthyer në një vështirësi”, tregon ajo.
Të tjerë të moshuar kanë të njëjtin shqetësim. Do të duhet të marrin produkte të ndryshme që kërkojnë trasta të ndryshme.
“Po djathin dhe mishin si do i marr? Nëse i marr në qese letre do kullojnë. Nuk ju ikim dot qeseve plastike”, thotë një 60-vjeçare në rrugën Lidhja e Prizrenit, Tiranë.

Nga vëzhgimi i Gazetasi.al, vihet re se të moshuarit kanë vendosur të marrin me vete trasta edhe pse për to është një stres.
Të rinjtë nga ana tjetër, të paktën ditën e sotme janë indiferentë kundrejt vendimit për të hequr qeset plastike.



Gjithashtu, indiferentë duket se janë edhe shumë biznese që kanë vendosur të vazhdojnë të përdorin qeset plastike, të paktën derisa të mbarojnë ato që kanë në gjendje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



