Arsim

Qëndresa Qytetare kërkesë Komisionit Parlamentar të Arsimit: Shqyrtoni denoncimet për plagjiaturat e Rektorit dhe Dekanes së UT

Nga Gazeta Si- Para disa ditësh u denoncua se Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha dhe dekania e drejtësisë Dorina Hoxha kanë kryer plagjiaturë në temën e doktoraturës së tyre. Pas këtij lajmi nuk kanë reaguar as Universiteti dhe as Fakulteti.

Për shkak të kësaj, Qëndresa Qytetare i kërkon Komisionit Parlamentar për Arsimin që të organizojë një dëgjesë publike për të zbardhur të vërtetën mbi përmbajtjen e punimeve të tyre shkencore.

“Qëndresa Qytetare, në kushtet e mungesës së reagimit nga Universiteti i Tiranës dhe instancat e tij për denoncimin e plagjiaturave në doktoraturën e Rektorit Artan Hoxha dhe Dekanes së Drejtësisë Dorina Hoxha, iu drejtua Komisionit Parlamentar për Arsimin me kërkesë zyrtare për të ndërhyrë”, shkruhet në njoftimin e QQ.

QQ i kërkoi Anëtarëve të këtij komisioni të nisim hetim parlamentar mbi këtë çështje për universitetin më të madh në vend.

“Në këtë periudhë të rëndësishme zgjedhore për universitetin, kur dy personat e akuzuar për vjedhje të punimit shkencor, janë përkatësisht edhe kandidatë të vetëm në garën për Rektor dhe Dekan në këtë universitet, ndërhyrja e një instance të këtij niveli bëhet e domosdoshme. Ne besojmë se ky veprim mund të jetë fillimi i një procesi të vetingut akademik për të gjitha precedentët e ngjashme të fitimit të gradave dhe titujve shkencorë në universitetet publike duke zhbërë njëherë e përgjithmonë avancimin jomeritor në botën akademike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë