Arredim

Që shtëpia juaj të mos duket e mërzitshme, 5 gjëra që duhet të zëvendësoni tani

Ka shumë arsye pse të gjithë duam të jetojmë në një shtëpi të bukur, por jo të gjithë dimë si ta shndërrojmë shtëpinë tonë pa shpenzuar shumë dhe duke ndërhyrë aty ku duhet. Ndër të tjera, në arsyet kryesore përse askush nuk do një shtëpi të mërzitshme është ndikimi që ajo ka në jetën e tij në mënyrë direkte dhe indirekte – një shtëpi e bukur, e pastër, e ndriçuar mire dhe e orientuar mirë jo vetëm na shton cilësinë e jetës, por ndihmon në reduktimin e stresit të përditshëm dhe në mënyrë indirekte në rritjen e produktivitetit dhe vetëbesimit.


Disa nga këshillat më të thjeshta, që nëse i zbatoni do t’i jepni shtëpisë tuaj një pamje krejt tjetër vetëm me pak ndërhyrje i ka dhënë për Gazetën "Si" Eduina Pira (Zekaj), arkitekte, UI/UX designer dhe content creator e cila ka krijuar ED Architecture si një hapësirë projektimi, krijimi, mendimi dhe kontakti të drejtpërdrejtë me njerëzit.

https://www.instagram.com/p/CHyLiPVnIm3/?igshid=exv59w8dywpi

Nëse doni një imazh të pastër për dhomën tuaj të gjumit:
Ndërroni çarçafët dhe mbulesat e krevatit tuaj
Të gjithë e dime ndjesinë e mire që kemi kur shtrihemi në çarçafë të sapolarë që vijnë aromë freskie. Pikërisht këtë efekt krijojnë dhe modelet e tyre në sytë tuaj dhe rrjedhimisht në trurin tuaj duke ju mundësuar gjumë më të mirë për ju. Harrojini mbulesat kineze me motive floreale me ngjyra të kuqe dhe rozë të ndezura. Tentoni gjithmonë drejt ngjyrave neutral ose që përshtaten me ngjyrat e ambientit tuaj. Gjithashtu sugjerohen format gjeometrike. Krijimi i “paternave” gjeometrike përveçse shumë estetik është edhe shumë qetësues.

Nëse doni një imazh të freskët në kuzhinën tuaj:
Largoni tenxheret dhe tiganët e vjetër
Ju mund të keni shpenzuar shumë për kuzhinën tuaj, mund të keni sjellë teknologjinë më të fundit, frigoriferë me wifi apo furra që fiken vetë, por asnjëherë nuk keni për ta krijuar imazhin e kuzhinës perfekte që qëndron gjithmonë e pastër dhe e freskët nëse nuk ndërroni tenxheret dhe tiganët e vjetër. Të gjithë kemi në shtëpi pajisje kuzhine të vjetra që funksionojnë akoma, tiganë të gervishur që të themi të drejtën ngjisin pak, por e kryejnë funksionin, ama duhen zëvendësuar qoftë për arsye estetike, qoftë për arsye funksionale. Kjo vlen dyfish më tepër për kuzhinat që kanë një seksion të veçantë të ekspozimit të pajisjeve të kuzhinës.

Nëse doni një dhomë ndenjeje rrezatuese dhe plot pozitivitet:
Zëvendësoni çentrot e famshme
"Në diskutime të shumta që kam bërë për çentrot, ekzistojnë dy lloj njerëzish: ata që nuk e besojnë se ka akoma njerëz që kanë çentro në shtëpitë e tyre dhe njerëzit që mendojnë se nuk i humbet vlera kurrë duke qënë punim dore" thotë Eduina.
Sipas saj, duhet marrë vendimi sipas ambientit në të cilin jetoni dhe arredimit që përdorni. Nëse shtëpia juaj konsiderohet një arredim kontemporan apo modern, pra ju keni në shtëpi mobilje me linja të drejta, ngjyra të pastra, motive gjeometrike dhe kompozime moderne, të vendosni një çentro mbi tavolinën e dhomës së ndenjes (sado e bukur të jetë ajo), do të stonojë. E njëjta gjë ndodh nëse keni një mobilim neoklasik, me mobilje të gdhendura dhe harqe, që imitojnë pallatet mbretërore, sërish vendosja e një çentroje do të stonojë. Mendoni, ekziston një arsye përse në Louvër apo në Buckingham Palace nuk vendosin çentro mbi tavolina, apo jo?
I vetmi përjashtim është nëse shtëpia juaj ka një histori shumëvjeçare për të treguar, ndodhet në zone muzeale dhe mban mobilje antike të periudhës otomane, aty mund të vendosni çentro pa u menduar dy here, sepse i përkasin pikërisht atij stili. Në diskutimin nëse duhet apo jo të vazhdoni të mbani çentro në shtëpinë tuaj ka shumë polemika, mirëpo "mund t’ju them nëse dikush që njihni do të vishej me fustan të fryrë dukeshash, me paruke gjigande me kaçurrela dhe do të shkonte të blente bukën ju do ta shihnit çuditshëm, të njëjtin efekt ka edhe një çentro e vogël, në dukje e parrezikshme në imazhin e shtëpisë tuaj" thotë ajo.
Në rast se ju jeni një adhurues i punimeve me dorë dhe keni një arredim kontemporan ose skandinav, arkitektja sugjeron të zgjidhni makrame, një version modern i çentrove.


Minimizoni motivet në çdo cep
"Në pamjen e përgjithshme që shumica e shtëpive shqiptare kanë janë dy llojesh: variant tipik “bezhë me kafe” dhe plot motive në jastëqe, mbulesa apo rrugica dhe varianti i dytë plot motive në çdo cep" tregon Eduina.
Të dyja variantet derivojnë në të njëjtin problem: përdorimin e tepërt të motiveve të ekzagjeruara. Duhet thënë që edhe motivet kanë nevojë për kontekstin e duhur për t’u përdorur. Një tapet Persian me motive otomane në një arredim neoklasik jo gjithmonë mund të ketë vend, ndaj "ju sugjeroj të tregoheni shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e elementëve veshëse të shtëpisë që përfshin tapetet, perdet, mbulesat e divaneve etj."

Eduina sugjeron që të përzgjidhni një familje motivesh, për shembull, motive gjeometrike dhe të vishni maksimumi 2 prej këtyre elementeve me to, ose motive floreale duke veshur vetëm një prej tyre.
"Një tapet me motive mund të duket një mrekulli kur e shihni në showroom të veçuar nga çdo gjë, mirëpo mund të bëhet mbytës në një ambient të vogël shtëpie mbushur me pajisje dhe mobilje" thotë ajo.
Këtu del nevoja për tu konkultuar gjithmonë me një arkitekt pasi ai do t’ju krijojë një kopjim në 3d të gjithë ambientit tuaj dhe do të mund ta shihni nëse ia vlen ta bleni një produkt ose jo. Ky është një shërbim që Eduina e ofron. Ajo gjithashtu ofron edhe shërbimin "virtual reality" që shumë pak e ofrojnë në Tiranë, ku klienti mund të shohë specifikisht shtëpinë e tij në realitet virtual nëpërmjet syzeve dhe të rrotullohet e të krijojë idenë si do të duket shtëpia e tij pas përfundimit të punimeve.


Në rastin kur minibari në shtëpinë tuaj ka vendin e vet, pa cënuar hapësirë shërbimi apo rehatie atëherë mund të përqëndroheni në cilësinë e arredimit të tij. Nëse doni një minibar rrëzëllitës, arkitektja sugjeron të ekspozoni vetëm një komplet kristali ose qeramike që ka një vlerë të veçantë për ju dhe që kombinohet me pjesën tjetër të shtëpisë. Mendojeni minibarin tuaj si një muze të vogël. Në një muze, mbreti i vërtetë nuk janë produktet që ekspozohen, por hapësira mes tyre, sepse ajo i jep frymëmarrjen dhe rëndësinë e duhur secilit objekt që ekspozohet. E njëjta gjë duhet të ndodhi në minibarin tuaj, vendosni më pak qelqurina dhe me hapësirë të bollshme, duke i kompozuar 2 para, 1 mbrapa me hapësirë në mënyrë që të kenë frymëmarrjen e duhur. Pjesën tjetër, "duhet ta fshehni, për të mos i ulur vlerat kristalit të vertetë që është shtëpia juaj" thotë ajo.

Të kthehemi tek ndryshimet!
Rimendoni edhe njëherë minibarin tuaj
Minibari është elementi më i zakonshëm që Eduina ka hasur në shtëpitë shqiptare dhe shpesh elementi më pa vend në to.
"Kam hasur shumë arredime që për t’i dhënë rëndësinë e duhur minibarit janë sakrifikuar metra katrorë rehatie apo shpenzime të mëdha për komplete kristali që nuk përdoren kurrë" tregon ajo.
Në parim shtëpia është shndërruar së bashku me mënyrën e jetesës. Nëse më parë kishim minimalisht 3-4 vizitorë në ditë në shtëpi që përfshinin komshinj e kushurinj, normalisht shtëpia do të reflektonte një hapësirë të madhe për ekspozimin e prestigjit apo pastërtisë për të kënaqur sytë e vizitorëve. Ndërkohë sot, rrallë mund të kemi vizitorë në shtëpi, "gjë që e bën të palogjikshme dhënien e rëndësisë tek elementi i minibarit."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë