Editorial

Pyetja që ngeli pa përgjigje: Kush do t’ia paguajë avokatin Berishës

Sali Berisha ka lajmëruar padi ndaj Antoni Blinken, sekretarit amerikan të shtetit duke thënë se po e bën këtë për të vendosur dinjitetin e tij në vend.

Është e drejte e çdo qytetari shqiptar të reagoje nëse mendon që ndaj tij mund të jetë bërë ndonjë padrejtësi. Aq më tepër e një personi me staturën e Sali Berishës, që ka perfaqësuar vendin qoftë si Kryeminister e qoftë si President.

Por një person i thjeshtë, në ndryshim nga Sali Berisha nuk përbën lajm si Sali Berisha.

Ky i fundit duke qenë figura dominante politike e 30 viteve të fundit në vend ka rezonancë si në Shqipëri, si në Kosovë, si në Maqedoni, por edhe në botë.

Këtë e pamë të mërkurën kur shkruajtën të gjithë për të e për vendimin e DASH ndaj tij. Problemi i vetëm qëndron te akuza që i bëhet Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo për korrupsion, që Berisha u ndal gjatë ta shpjegonte se që nga dita që ka firmosur për herë të parë në bordero e deri tani ai nuk është akuzuar asnjëherë nga drejtësia për asnjë akt korruptiv.

Shtetet e Bashkuara mund të kenë arsyet e tyre, të dhënat e tyre dhe gjithçka tjetër që të bëjnë një akuzë të tillë. Ndërsa ne të tjerët kemi jetuar gjatë gjithë kohës në Shqipëri dhe kemi parë se ndaj zotit Berisha dhe fëmijeve të tij ka pasur plot akuza publike në 8 vitet e qeverisjes dhe më vonë, e ku mjafton të shihet shumëfishimi i pasurisë së familjes në deklaratat e përvitshme të pasurisë që dikush të ketë qoftë edhe një dyshim të vogël.

Gjithsesi, ky argument mund të jetë ndoshta pjesë e ndonjë hetimi të drejtësisë shqiptare. Ajo që është pjesë e të paktën ndershmërisë intelektuale të atyre që e ndoqën konferencën për shtyp të zotit Berisha është mungesa e përgjigjes për një pyetje që iu bë të paktën dy herë.

Nëse herën e parë mospërgjigja mund të shihet si harresë, në të dytën kushdo ngre pikpëpyetjen se përse Berisha e anashkaloi përgjigjen e një pyetjeje të thjeshtë: kush do t’i paguaje shpenzimet e mbrojtjes së zotit Berisha në gjyqin që do të hape ndaj SHBA?

Sali Berisha është një person që shquhet për memorie, ndaj dhe "harresa" për një pyetje të tillë nuk vjen sepse ai nuk e ka dëgjuar atë dhe nuk e ka futur në mëndje. Kjo pyetje e thjeshtë dhe përgjigja ndaj saj mund të rrëzonte të gjithë moralin e konferencës. Një gjyq i tillë, në atë gjykatë ku do te shkoje Sali Berisha kushton. Kushton shumë avokati që ka zgjedhur. Kushton edhe shumë më tepër se sa paga vjetore e tij si deputet, se sa benefitet shtesë që mund të përfitojë nga postet që ka mbajtur, se sa pensioni që mund të marrë dhe gjithçka tjetër që mund te deklaroje ai, e të gjitha këto të mbledhura bashkë. Prandaj, nëse bëhet fjalë për një gjyq që zoti Berisha tha se do të hape për të vendosur në vend dinjitetin e tij për akuzat për korrupsion, gjëja e parë që duhet të bënte do të ishte të tregonte se si do ta paguaje ai gjyqin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë