Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka miratuar një buxhet rekord për mbrojtjen për vitin 2025, duke ndarë për këtë sektor rreth 13.5 trilionë rubla (126 miliardë dollarë), që përbën 32.5% të shpenzimeve totale.
Ky buxhet është rreth 3 trilionë rubla më i lartë se rekordi i mëparshëm, i vendosur këtë vit. Por në buxhetin 3-vjeçar, të miratuar nga të dy dhomat e parlamentit rus, është parashikuar gjithashtu një ulje e lehtë e shpenzimeve për mbrojtjen për vitet 2026 dhe 2027.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është konflikti më i madh në Europë që prej Luftës II Botërore. Moska po përparon aktualisht në pika kyç të frontit të luftës, por zgjatja e konfliktit prej gati tre vitesh ka bërë që të dyja palët të përballen me konsum të madh burimesh.
Rusia, megjithëse me rezerva më të mëdha ushtarake dhe burime njerëzore, po përjeton presion të madh ekonomik. Inflacioni i lartë dhe mungesat e fuqisë punëtore kanë detyruar Bankën Qendrore të Rusisë të rrisë normat e interesit në 21%, nivelin më të lartë në dekada.
Nga ana tjetër, Ukraina, e mbështetur nga aleatët perëndimorë, ka marrë ndihma të shumta ushtarake, përfshirë 650 milionë euro së fundmi, në pajisje ushtarake nga Gjermania, që pritet të dorëzohen në dhjetor. Gjermania dhe vende të tjera perëndimore kanë qenë kyçe për furnizimin e Ukrainës me armë dhe pajisje për të përballuar sulmet e Rusisë.
Megjithëse Rusia ka burime të mëdha, humbjet në fushëbetejë dhe vështirësitë në rekrutimin e trupave të rinj janë sfida të mëdha. Pas mobilizimit të pjesshëm të mëparshëm, qindra mijëra burra rusë u larguan nga vendi. Për të plotësuar radhët ushtarake, Rusia ka marrë mbështetje nga Koreja e Veriut, me rreth 11 000 ushtarë të dërguar në frontin e Kurskut.
Lufta e lodhjes ka dëmtuar të dyja vendet, ndërsa aleanca me Korenë e Veriut ndihmon Rusinë përkohësisht. Megjithatë, zëvendësimi i humbjeve materiale mbetet një sfidë e madhe për Moskën, veçanërisht pasi një pjesë e arsenalit të saj tani përfshin raketa balistike koreano-veriore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.