Ngjarje

“Puthja e parë” e këtij çifti ishte kur u ringjall

Andi Traynor dhe Max Montgomery janë njohur në “Facebook” përmes miqve të përbashkët. Ata u bënë bashkë rastësisht disa herë, por pa ndonjë ndjenjë të veçantë. Pastaj, një ditë herët në mëngjes vendosën të shkojnë për surfing në ‘Capitola Beach’, në Kaliforni, tetorin e kaluar.

Kur përfunduan valët dhe po dilnin nga plazhi, 56-vjeçari Montgomery ra në tokë. Traynor ishte në profesion mjeke, por për një moment u hutua. Pastaj e kontrolloi dhe pa që ai nuk kishte puls. Ai po pësonte infarkt.

“E pashë të binte në tokë dhe fillimisht mendova se ishte penguar”, tha Traynor, 45 vjeç, profesore mjekësie në Universitetin Stanford dhe një anesteziste që punon me shtatzënitë me rrezik të lartë.

“E ktheva atë dhe menjëherë kuptova se diçka nuk shkonte”.

Ajo thirri që dikush të lajmëronte te 911 dhe pastaj filloi me CPR (ringjalljen kardiopulmonare). I bëri frymëmarrje artificiale dhe ngjeshje në kraharor për rreth shtatë minuta, në mënyrë që të qarkullonte gjaku derisa ndihmësit të vinin. Ndihmësit përdorën një defibrilator tri herë, por pa sukses dhe më pas e morën me ambulancë.

Ajo ishte e mërzitur. Nuk e dinte që në ato momente Alexander Baker po bënte një video për të regjistruar natyrën në plazh dhe se i gjithë episodi i frikshëm po regjistrohej gjithashtu. 

“Ju më patë mua në tokë me të?”, i tha Traynor kameramanit .  “Mendova ‘Ai vdiq, njerëzit nuk jetojnë pas kësaj’. Nuk arrij ta besoj këtë që sapo ndodhi. Si ndodhi e gjithë kjo. Ndjeva shumë trishtim”.  

Në ambulancë ndihmësit përdorën defibrilatorin edhe tri herë të tjera dhe më në fund e ringjallën Montgomeryn. Traynor tha se ishte e sigurt se ai kishte vdekur dhe kërkoi “Facebook”-un e tij për të gjetur të afërmit që t’i njoftonte.

Ajo kontaktoi motrën e tij dhe u habit kur zbuloi se ishte gjallë.

“Motra e tij i tha: ‘Është jashtë procedurës, a doni të bisedoni me të?’” “Unë thjesht shpërtheva në lot”, tregon Traynor.

Montgomery e mori në telefon dhe i kërkoi falje asaj për kolapsin. Ditën tjetër ai iu nënshtrua operacionit.  

Traynor shkoi në spital dhe priti orë të gjata me familjen dhe miqtë e Montgomeryt.

Gjatë sulmit kishin pasur një tërheqje të anasjelltë ndaj njëri-tjetrit, por ndërveprimi i tyre nuk kishte qenë kurrë romantik dhe ata vendosën se do t'i merrnin gjërat shumë ngadalë.

Duke parë aq shumë anëtarë të familjes Montgomery dhe miq të ngushtë të tij, Traynor kuptoi se çfarë njeriu me zemër të mirë ishte miku i saj i ri.

Ajo ishte e divorcuar me dy fëmijë dhe në njëfarë mënyre e gatshme dhe e kujdesshme njëkohësisht për të nisur një marrëdhënie të re. Ai gjithashtu ishte i divorcuar. “Pashë shumë njerëz të mahnitshëm, të këndshëm dhe të dashur që e donin aq shumë”, tha ajo. “Do të kisha kaluar disa kohë duke studiuar se cilat gjërat gjëra e bëjnë një marrëdhënie të shëndetshme dhe një faktor pa diskutim që është marrëdhënia e mirë me familjen dhe miqësitë afatgjata”.  

Pas operacionit, që rezultoi me sukses, ajo shkoi për ta vizituar në dhomën e tij të spitalit. Montgomery i thotë: “E kush do të dëshironte të ishte me një njeri që ka pësuar atak në zemër, të gjithë do të largoheshin.

“Nuk do të shkoj askund”, i tha ajo.

Për Montgomeryn, kjo ishte një pikë kthese. “Kur ajo tha ‘Nuk do të shkoj askund’, u ndjeva sikur zemra ime filloi të shërohej nga brenda”, shprehet ai. “Pata një rimëkëmbje të madhe dhe të shpejtë, mendoj se isha çmendurisht i dashuruar”.

Gjashtë ditë më vonë, pasi Montgomery doli nga spitali, ata u kthyen sërish në Capitola Beach për surfing – e tani patën puthjen e tyre të parë dhe të vërtetë.

“Ne e konsiderojmë CPR puthjen tonë të parë”, thotë Traynor. “Por ditën kur doli nga spitali, kemi pasur puthjen tonë të parë dhe të vërtetë”.

Traynor i tregoi që kishte pamjet në momentin që ra në tokë, pasi kameramani ia kishte dhënë për përdorim personal. Ata vendosën së bashku që këtë ndodhi të regjistruar tashmë në video ta përdornin për të ndihmuar njerëzit.

“Ne nuk duam ta vendosim në ‘Facebook’ dhe të themi, ‘gjëja më e çmendur ndodhi fundjavën e kaluar’”, tha Traynor. “Dëshirojmë të jemi të qëllimshëm për këtë”.  

Kur u forcuan marrëdhëniet e tyre, ata vendosën të edukonin njerëzit për përfitimet e ‘CPR’ dhe të përpiqeshin të shpërndanin disa nga mitet dhe frikërat.

Një nga gjërat kryesore, thotë Montgomery, është se njerëzit kanë frikë se do të bëjnë më shumë dëm sesa mirë, dhe kështu ata janë në mëdyshje për të kryer CPR, veçanërisht për një të huaj. Për këtë, ai thekson se kur dikush nuk ka puls, gjërat nuk mund të përkeqësohen më tej, kështu që gjithnjë ia vlen të provohet.

Tashmë, ata kanë hapur fondacionin ‘Help-A-Heart’, i cili ofron udhëzime për ‘CPR’.

‘Paddle-4-Good’ është një tjetër fondacion që ofron aktivitete aventureske të tilla se si të ngrihen në këmbë popullatat e varfra dhe njerëzit me nevoja fizike dhe zhvillimore. 

Të dy, Traynor dhe Montgomery, tani janë certifikuar nga instruktorët e CPR dhe lexojnë statistikat nga Shoqata Amerikane e Zemrës: çdo 90 sekonda, dikush vdes diku në Shtetet e Bashkuara për shkak të arrestit të papritur kardiak. 

Nëpërmjet CPR mund të trefishohen shanset e mbijetesës. Shumica e sulmeve në zemër jashtë spitalit ndodhin në shtëpi, kështu që nëse mësoni CPR, ka shumë të ngjarë ta përdorni atë në një anëtar të familjes apo t’u shpëtoni jetën të afërmve dhe të dashurve tuaj.

Që kur ata e bënë këtë histori publike, sigurisht që kanë marrë edhe shaka dhe tallje: “Duhet të merrni pëlqimin e dikujt para se t'i puthni”, ose “Disa njerëz do të bëjnë gjithçka për të tërhequr vëmendjen e një gruaje”.  

Por, Traynor dhe Montgomery i kanë marrë me të qeshur këto komente dhe thjesht kanë thënë që ‘ata nuk kanë mend’. Montgomery tanimë thotë me entuziazëm që është i lumtur që është gjallë.  

“Është një gjë e çmendur. Deri më tani është historia më e çmendur e jetës sime”, tha ai. “Unë jam i lumtur që isha në anën e fatit të gjithë kësaj ndodhie”.  

Përgatiti: Luljeta Nelallari


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë