Politike

‘Punoni bashkë’. Porosia e Ramës për Manastirliun e Veliajn pak orë pasi riktheu kryebashkiakun e Tiranës në fushatë

Nga Gazeta ‘Si’– Në një takim të zhvilluar mbrëmjen e së hënës me të deleguarit e qarkut të Tiranës, kryeministri Edi Rama dha porositë e tij për votën e diasporës.

Mësohet se Rama ka kërkuar që të vijojë puna për të arritur objektivin e PS për regjistrimin e emigrantëve, ku përsa i përket kryeqytetit, socialistët synojnë të regjistrojnë 35 mijë persona.

I ulur në mes të ministres së arsimit Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt, mësohet se Rama u ka kërkuar që të punojnë sëbashku për të arritur objektivat e PS në zgjedhjet e 11 majit.

Sipas të pranishmëve, marrëdhënia Rama-Veliaj ka qenë në harmoni politike.

Kjo në fakt u vu re edhe më herët ditën e djeshme (3 shkurt) ku Rama dhe Veliaj u shfaqën së bashku në Qytetin Studenti, ku inspektuan punimet për rikonstruksionin e disa prej konvikteve.

Nga atje, kryeministri Edi Rama ofroi mbështetjen e qeverisë për vijimin e projekteve të Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa theksoi transformimin që ka pësuar Tirana dhe ndikimin e saj në imazhin e Shqipërisë, Rama e konsideroi Bashkinë e Tiranës për të personalisht por edhe për qeverinë e tij si “lokomotiva në të gjithë drejtimet”.

Krah Veliajt, ai vlerësoi punën e kësaj bashkie në zhvillimin e kryeqytetit dhe shtoi se ajo “do mbetet një mbështetje prioritare”.

“Duhet të jenë të gjithë të bindur se për qeverinë tonë dhe mua personalisht, Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet, dhe mbështetja jonë në këtë aspekt ka qenë, është dhe do mbetet një mbështetje prioritare, sepse për ne ka shumë rëndësi që ky partneritet të vijojë të prodhojë sukses, dhe ka shumë mundësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare, sepse Bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat: Është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj se të tjerat dhe në një farë mënyre për të udhëhequr me shembullin e saj në rrugën ku edhe të tjerët do hyjnë hap pas hapi”, deklaroi Rama. 

Deklaratat e Ramës për Veliajn ranë jo pak në sy një ditë më parë, pasi që kur SPAK ka nisur hetimin për dyshimin e 4 akuzave, Kryebashkiaku i Tiranës ishte mënjanuar nga takimet e para fushatës së 11 majit dhe është mbajtur i distancuar nga kryeministri. Aq sa gjatë këtyre muajve u ngritën shumë pikëpyetje për Veliajn, që kur u triplua me Manastirliun dhe Spiropalin në drejtimin e PS-së së Tiranës.

Por me sa u pa dje, Veliaj u rikthye si lojtar i socialistëve për Tiranën në fushatën e zgjedhjeve parlamenatare që mbahen pas më pak se 100 ditësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë