Nga Gazeta Si- Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka folur për publikimin e tezës së provimit të anglishtes duke thënë për median se po bëjnë hetimet përkatëse por është shumë e vështirë pasi është vetëm testi i fotografuar dhe nuk ka asnjë detaj tjetër.
Kushi tha se pavarësisht se testi ka dalë jashtë sallave të testimit, nuk ka hyrë i zgjidhur, “ndaj dua që të jenë të qetë maturantët sepse secili do të marrë notën që meriton”.
Më tej Kushi ka shtuar se nuk dëshiron të fajësojë askënd por ata që i publikojnë tezat janë gjithmonë të njëjtët dhe kjo sipas Kushit, e bën të dyshojë se është e parapërgatitur skena dhe personat që angazhohen për një qëllim të tillë.
“Për sa kohë teza nuk del përpara, do të thotë se procesi është vërtetë sekret dhe duhet të ndërgjegjësohen edhe mësuesit dhe maturantët që këtë proces ta mbajmë të paprekur deri në fund”.
Kushi ka bërë një thirrje edhe për prindërit që sipas saj, shpesh herë u bëjnë presion mësuesve dhe administratorëve në ditën e provimit.
“Prindërit nuk kanë pse të shoqërojnë fëmijët e tyre dhe u kërkoj që të mbajnë telefonat e fëmijëve të tyre duke qenë se dihet se telefoni nuk lejohet në provim”, përfundon Kushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.