Nga Gazeta Si- Pavarësisht masave të marra nga Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e procesit të provimeve, si çdo vit, nuk ka munguar publikimi i tezave disa minuta pas fillimit të provimit.
Edhe pse Ministrja e Arsimit Evis Kushi e quan si një detaj që nuk cënon procesin, eksperti i arsimit Qemal Çejku dhe Qëndresa Qytetare e quajnë dështim organizimin e Maturës Shtetërore.
“Dështim i radhës do ta quaja organizimin e Maturës Shtetërore aq “bombastik” e të trumbetuar këtë vit dhe kjo jo vetëm për faktin se doli teza që në fillim të provimit”, thotë Çejku duke shtuar se u nis me një kalvar trajnimesh për të shfaqur risitë, për të vazhduar po me një kalvar transporti bankash për të mbushur korridoret, palestrat e çdo lloj ambienti tjetër të monitorueshëm nga kamerat.
Sipas Çejkut, me të gjitha këto ‘përgatitje’, nuk mund të quhet arritje se teza nuk doli një ditë më përpara.
Eksperti i arsimit Çejku shprehet për Gazetasi.al se në radhët e administratorëve dhe maturantëve ka zëra se “detektorët ishin me defekt dhe për më tepër prania e shumë administratorëve dhe maturantëve në salla të mëdha dashje pa dashje prodhoi zhurma bezdisëse duke e bërë të papërshtatshëm procesin”.
Çejku shton se Ministria e Arsimit duhet të reflektojë jo thjesht me masa më të rrepta apo sigurim të logjistikës mbështetëse për zhvillimin e Maturës, por me studim me të thellë të politikave arsimore.
“Për sa kohë rezultati i Provimeve të Maturës ka kaq peshë në vlerësimin e maturantit dhe për rrjedhojë në përzgjedhjen e degëve prioritare, me jepet e drejta të deklaroj se nuk do të ketë maturë korrekte dhe do t’i lihet shteg rezultateve fiktive dhe mbushjes me fiktivitet të auditorëve të Arsimit të Lartë”, thotë Çejku i cili shton se ka ardhur koha për një diskutim me specialistët për një reformim të sistemit.
“A nuk është më e udhës që përzgjedhja të bëhet nga vetë fakultetet dhe të mos i besohet një sistemi të ngritur mbi bazë pikësh siç është formulari online?”
Pjesa më e dëmtuar e sistemit arsimor duket se janë maturantët, sipas ekspertit të arsimit, të cilët punojnë fort dhe nuk dinë ‘marifet’ tjetër përveç punës dhe të mësuarit për të përmirësuar arritjet.
“Demoralizimi dhe zhgënjimi në radhët e tyre, sjell humbje të shpresës dhe tendencë braktisjeje”, thotë Çejku.
Këtë e pohojnë edhe maturantë të Gjimnazit “Sinan Tafaj” të cilët do kryenin provimin e Gjuhë Shqipe dhe letërsi në Shkollën “Qazim Turdiu”.
“E kemi mësuar nga vitet e kaluara tashmë. Do bëjmë provimet por ato që janë më të shkathët në kopjim do dalin më mirë. Kjo dhe të heq dëshirën për të mësuar shumë”, tha për Gazetasi.al një nga maturantët që po priste të futej në provim.
Të tjerë maturantë thanë për Gazetasi.al se pavarësisht nga prezenca e administratorëve nëpër salla, përsëri në provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, kishte maturantë që tentuan dhe ia kanë dal të kopjojnë dhe të komunikojnë me persona jashtë.
Qëndresa Qytetare i bën apel Prokurorisë të nisë hetimet
Ndërkohë Qëndresa Qytetare ka reaguar duke thënë se nxjerrja e tezës është cënim i rëndë i integritetit të procesit të Maturës Shtetërore pasi penalizon maturantët më të mirë dhe dëmton meritën.
“I bëjmë thirrje ministres së Arsimit Evis Kushi të mbajë përgjegjësi për 30 mijë maturantët dhe sakrificën e familjeve të tyre. I bëjmë apel edhe Prokurorisë të nisë hetimet”.
Nxjerrja e tezës sipas Qëndresës Qytetare kompromenton edhe 1995 administratorët e provimeve te Maturës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.