Nga Gazeta "Si" - Që Arben Ahmetaj përflitej prej kohësh në korridoret e Kryeministrisë, por edhe selisë së PS-së, se ai e kishte ‘kryer’ misionin në qeveri, kjo dihej.
Që emri i tij ishte lakuar sa lart e poshtë nga njerëz (jo fort dashamirës) se ai mund të ishte edhe kontributori i dosjes së inceneratorëve që endej dyerve të ambasadave, por edhe do selive të partive politike, edhe kjo dihej.
Që ai nuk mbështetet nga një pjesë e PS për shkak të bërrylave të shtuar dhe pisllëqeve të brendshme nga llokma e pushtetit që çdokush do ta zgjerojë, edhe kjo dihej.
Ajo që nuk dihej në fakt deri ditën kur Edi Rama i rreshtoi në ceremoninë e Presidentit të ri, ishte se deri ku konfliktet e brendshme në parti po i prishnin punë vetë atij, Ramës
Sepse të gjithë ata që sot sillen si samaritanë të mirë para kryeministrit, kanë baltuar gojën për njëri-tjetrin deri në atë pikë sa po bëjnë karagjoz vetë pushtetin.
Burime të Gazetës “Si” thanë se Edi Rama i mblodhi në selinë e Kryeministrisë fiks ditën kur secili prej ministrave lëshonte ndonjë romuz ndaj Ilir Metës në ikje, teksa ky i fundit po respektonte i sforcuar pasaardhësin në Presidencë, Bajram Begaj.
Aty rreth orës 20.00 të mbrëmjes të së dielës një mesazh i shpërndarë nga Kryeministria njoftonte për një mbledhje informale mes ministrash, drejtuesish të grupeve të punës dhe sekretariatit të partisë.
Një takim rutinë që Rama e bën shpesh e që pakkush prej ministrave e kishte marrë seriozisht.
Aq sa të ngatërronin edhe kohën nëse takimi mbahej të dielën apo të hënën në mëngjes
Por ai që i “zgjoi” nga tulatja e kohës me një qesëndisje të paturpshme ishte vetë Rama.
“Ti je i ikur”, iu drejtua Rama-Ahmetajt që në fillim të takimit.
Mesazhi për Arben Ahmetajn nuk ishte individual dhe as një firmë e hedhur krejt papritur në zyrën e tij.
Ai ishte një mesazh që duhet ta dëgjonin të gjithë.
Ministra e zyrtarë të partisë që prej kohësh janë futur në një luftë të ethshme ndaj njëri-tjetrit, kush nuk flet me kë.
Në një garë të pistë dhe të pandershme me letra e dokumente ndaj punës së tjetrit pa kuptuar se dëmi më i madh është ndaj vetë karriges që gëzojnë rehatshëm. Por jo pa kohë.
“A do punoni me njëri-tjetrin apo t’ju fshij të gjithëve”, iu drejtua Rama kujtdo në atë takim.
Arben Ahmetaj deri më tash nuk është një person nën hetim për inceneratorët.
Shkarkimi publik nga vetë Rama mesa duket nuk ishte për punën e tij, sesa pisllëqet që marrin erë në PS pjesë e së cilës përflitet edhe vetë Ahmetaj
Rama nuk kish ndërmend t’ia dorëzonte emrin e tij as Ilir Metës si President në detyrë. (Ndoshta diçka kishte kuptuar në lojën kukafshehti të Arben Ahmetajt edhe me ndonjë pjesë të palës kundërshtare).
Ndaj dhe kambana ndaj tij të dielën ishte zile për të tjerët. Në të kundërt, të gjithë janë të ikur...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.