Politike

A është vendosur në qoshe Arben Ahmetaj, në pritje të një grushti tjetër nga Rama

Arben Ahmetaj mundet të marrë një tjetër goditje nga Kryeministri Rama.Pas shkarkimit nga Qeveria, ish-zv.Kryeministri e ministri i Rindërtimit pritet të largohet edhe nga posti i drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës për Partinë Socialiste.

Voxnews.alduke ju referuar burimeve konfidenciale thotë se vendimi është marrë nga kryesocialisti Rama, para se të nisej për në Beograd për të marrë pjesë në samitin e radhës në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe pritet zyrtarizimi sapo Rama të mbërrijë në Shqipëri.

Gazeta “Si” është përpjekur  të konfirmoj këtë lajm por deri tani ka mësuar nga burimet brenda Partisë Socialiste në qendër dhe degës në Vlorë se “Ahmetaj është akoma në Vlorë pavarëisht se  ka zëra korridoresh se ai de fakto është shkarkur “

Zyrtarizimi I shkarkimit  mund të ndodh  në fillim të javës së ardhshme, kur pritet që Rama të zhvillojë një mbledhje të Kryesisë së Partisë Socialiste ose në mbledhjen e asamblesë në fund të shtatorit.

Arben Ahmetaj zëvendësoi Damian Gjiknurin si drejtues politik i socialistëve në Vlorë. Një shkak I mundshëm që Ametaj të hiqet nga Vlora mund të jenë përçarjet e krijuara aty, thanë burimet për gazeta “Si”.

Ndërkohë Voxnews.alduke iu referuar burimet nga PS thotë se i shqetësuar Rama ka pasur një komunikim me Arben Ahmetajn. Në këtë komunikim urdhri i Ramës për Ahmetajn ka qenë i qartë dhe i pastër: “Mos të të shoh më atje!”, citohet t’i ketë thënë kryeministri Arben Ahmetajt, duke nënkuptuar që të mos shkelë më në Vlorë, të paktën jo si drejtues politik i qarkut i socialistëve.

Por gazeta “Si” mësoi se  Ametaj ndodhet në Vlorë dhe ka komunikime me partiak lokal.

Rama e ka bojkotuar të paktën që prej muajit qershor (kur Arben Ahmetaj ishte ende në Qeveri) takimet me bazën e PS-së në Vlorë në prani të Ahmetajt. Madje, ai bojkotoi edhe Asamblenë e Zgjeruar të PS-së ku u përzgjodhën drejtuesit e rinj vendorë.

Prologu i afërt

Aty rreth orës 20.00 të mbrëmjes të së dielës, fiks ditën kur secili prej ministrave lëshonte ndonjë romuz ndaj Ilir Metës në ikje, teksa ky i fundit po respektonte i sforcuar pasaardhësin në Presidencë, Bajram Bega,  një mesazh i shpërndarë nga Kryeministria njoftonte për një mbledhje informale mes ministrash, drejtuesish të grupeve të punës dhe sekretariatit të partisë.

Një takim rutinë që Rama e bën shpesh e që pakkush prej ministrave e kishte marrë seriozisht. Aq sa të ngatërronin edhe kohën nëse takimi mbahej të dielën apo të hënën në mëngjes.

Por ai që i “zgjoi” nga tulatja e kohës me një qesëndisje të paturpshme ishte vetë Rama.

“Ti je i ikur”, iu drejtua Rama-Ahmetajt që në fillim të takimit, thanë burimet për gazetën “Si’.

Mesazhi për Arben Ahmetajn nuk ishte individual dhe as një firmë e hedhur krejt papritur në zyrën e tij.

Ai ishte një mesazh që duhet ta dëgjonin të gjithë. 

Ministra e zyrtarë të partisë që prej kohësh janë futur në një luftë të ethshme ndaj njëri-tjetrit, kush nuk flet me kë. Në një garë të pistë dhe të pandershme me letra e dokumente ndaj punës së tjetrit pa kuptuar se dëmi më i madh është ndaj vetë karriges që gëzojnë rehatshëm. Por jo pa kohë.  

“A do punoni me njëri-tjetrin apo t’ju fshij të gjithëve”, iu drejtua Rama kujtdo në atë takim.

Arben Ahmetaj deri më tash nuk është një person nën hetim për inceneratorët.

Shkarkimi publik nga vetë Rama mesa duket nuk ishte për punën e tij, sesa pisllëqet që marrin erë në PS pjesë e së cilës përflitet edhe vetë Ahmetaj .

Mesa duket Ahmetaj nuk e ka marrrë shumë seriozisht ose  ka besuar më shumë se ç’duhet tek vetja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë