Kosova

Pse nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga Osmani? Kryeziu: Kurti ishte i ftuar në një drekë me ambasadorë

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e vendit në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e partive politike, theksoi se nuk e di arsyen përse Kurti nuk ka marrë pjesë në këtë takim, pasi, siç theksoi, ftesa në këtë takim ishte vetëm për kryetarët dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca e ka mirëkuptuar këtë pjesë.

Në lidhje me mospjesëmarrjen e Kurtit në këtë takim, ka folur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se arsyeja e mospjesëmarrjes së Kurtit në këtë takim është se kryeministri ka një drekë me 21 ambasadorët e akredituar në Kosovë.

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre javëve. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, tregoi Kryeziu.

Në konferencë në asnjë moment Osmani nuk i ka përmendur emrin Kurtit, por iu referua vetëm si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë