Arsim

Pse nuk duheshin mbyllur shkollat pas tërmetit

Ky shkrim është botuar një ditë pas tërmetit të shtatorit ku pas vendimit për të mbyllur shkollat gazeta hodhi idenë që këto ditë të përdoreshin nga mësuesit për trajnime në rast rreziku nga tërmeti. Si dhe aktivizimin e  psikologëve si një mundësi e mirë për të ndihmuar fëmijët. Por askush nuk dëgjoi. Kur tërmeti I fuqishëm dhe tragjik I 26 nëntorit shokoi shqiptarët, atëherë institucionet u kujtuan se kishin bërë gabim!! E risjellim këtë shkrim në kujtesë për të kuptuar se një shoqëri dhe një shtet nuk ndërtohet në emergjencë por mencuri që I paraprinë ngjarjeve.  

“My lucky day!”,  thërriste  një fëmijë i klasës së dytë fillore pas lajmit se të hënën nuk do duhej të shkonte në shkollë, duke e harruar shpejt edhe panikun e dy ditëve që shoqëruan tërmetin e së shtunës, me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter. Mëngjesi i së hënës në sheshet e pallateve i ngjante fundjavës apo dhe muajve të verës nga gumëzhimat e lojërave...derisa nisi shiu.

Vendimi i qeverisë për ta shpallur pushim zyrtar të hënën, për shkollat nëntëvjeçare  në Tiranë, Durrës dhe Elbasan si edhe për prindërit që punojnë në administratë,  u bë me përpjekjen  për të qetësuar disi panikun e përhapur jo vetëm nga lëkundjet tektonike, por edhe lajmet e rreme për një tërmet edhe më të fuqishëm se ai i së shtunës.

Por ndërsa qetësuan qytetarët që kishin zbarkuar nëpër sheshe pallatesh e rrugë se më e keqja kishte kaluar dhe se ato që ndiheshin ishin vetëm paslëkundjet deri në stabilizimin e pllakave tektonike, kabineti qeveritar megjithë qëllimin e mirë, nuk parashikoi kaosin që do të krijonte e hëna me fëmijët që nuk do të shkonin në shkollë, por as në kopshte e çerdhe  (edhe kopshtet private madje njoftuan një ditë më herët prindërit se nuk do të çeleshin).

Prindër që nuk punojnë në administratën shtetërore duhet të gjenin sot zgjidhje alternative, ose të mos paraqiteshin në punë për të mbajtur fëmijët, ndërsa administrata shtetërore që sipas kryeministrit Rama ka qenë e gjitha në gatishmëri dhe e mobilizuar për menaxhimin e situatës pas tërmetit, të hënën paradoksalisht e kishte pushim.

“Padiskutim, s’ka asgjë jonjerëzore në absurdin e frikës që pason përvojën traumatike të një goditjeje sizmike, prandaj edhe pjesa më e rëndësishme e rikuperimit të dëmeve, nis pikërisht nga solidariteti njerëzor me ata që janë prekur më shumë jo thjesht materialisht, po në radhë të parë psikologjikisht; pikërisht ky aspekt e ka bërë njerëzimin që ta kthejë globalisht në ndëshkim penal, kafshërinë e përhapjes së panikut në popull”, shkruante kryeminsitri Rama në faqen e tij të facebook-ut, në një postim mëngjesor nga aeroporti i Stambollit, ndërsa fluturonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u takuar me presidentin amerikan Trump e krerë të tjerë shtetesh, ku edhe do të flasë në OKB.

Kështu, kryeministri sqaronte se për shkak të këtij solidariteti  njerëzor, qeveria e kishte vendosur pushim edhe për prindërit. “Prandaj edhe vendosëm që sot, prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojmë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi”.

Ajo ditë pushimi, që pas mesdite u shoqërua me reshje shiu, do të duhej të kalohej brenda shtëpive, ku shumë qytetarë për shkak të panikut të përjetuar në katet e larta, nuk guxojnë të kthehen në banesat e tyre.

“Kam dy ditë që nuk fle dhe më merret fryma nga ankthi”, thotë Daniela, një  grua e re, e cila u detyrua ta bëjë pushim duke i kërkuar leje sipërmarrësit italian për të ndenjur me të birin 4 vjeç. “Nuk kisha frikë për vete, por për fëmijën”, vijon ajo.

Ajo që la pas tërmeti me epiqendër në Kepin e Rodonit, në detin Adriatik -,  që u ndje me intensitet prej 7 ballë të shkallës Merkali, në kryeqytet dhe 8 në qytetin e Durrësit -, më shumë se disa plasaritje ndërtesash të vjetra e rënie suvash, ishte paniku dhe stresi posttraumatik tek qytetarët e qarqeve të prekura.

Por në vend që  e hëna të ishte një ditë normale, kur jeta duhej të rifillonte normalisht, pasi fenomenet natyrore si tërmetet as nuk mundet që shkenca t’i parashikojë e aq më pak t’i parandalojë, pasi planeti Tokë vijon shpërfillshëm nga njerëzimi ciklin e saj të evolucionit dhe shndërrimit, u kthye në një ditë më shumë ku kryefjalë mbetet ende tërmeti dhe pasiguria nëse e gjitha kaloi. “ E kam shtëpinë në kat të gjashtë dhe nuk kthehem dot për qamet”, tregon Erjona,  një  vajzë 26 vjeçare, e cila rrëfen se të shtunën mbrëma e ka kaluar në makinë, ndërsa të dielën ka fjetur në hotel. “Nuk ma mbush mendjen njeri që  nuk do të ketë më tërmete. Ashtu thanë edhe mbrëmë, por ra një 4.4”, vijon e reja me frikën për t’u kthyer në shtëpi.

Sipas qeverisë, tërmeti i së shtunës, por edhe pas lëkundjet që e shoqëruan, treguan se ndërtimet e viteve të fundit janë bërë me cilësi, duke e përballuar me sukses testin sizmik.

Por më shumë sesa pallatet , ishin shkollat që i rezistuan lëkundjeve, ku siç bëri të ditur ministrja e Arsimit, Besa Shahini vetëm dy prej tyre, shkolla vartëse  nuk do të hapen  të martën.

Po atëherë pse u mbyllën shkollat kur ishin kaq të sigurta?

Shkollat janë të pajisura me psikologë, të cilët do të mund ta menaxhonin me profesionalizëm stresin që fëmijët kanë përjetuar gjatë dy ditëve dhe kjo do të ishte një shkak i mirë për të mos i mbyllur.

Sipas psikologes Deona Çano, në raste tërmetesh prindërit në radhë të parë do të duhet të jenë të qetë përpara fëmijëve, pasi ata kanë aftësinë e empatisë dhe kuptojnë e përjetojnë emocionet e të tjerëve rreth tyre. “Prindërit dhe njerëzit që punojnë me fëmijët (mësues, edukatore, shërbimi psiko-social shkollor) duhet jenë të  qetë  nëqoftëse duan të  minimizojnë traumën tek fëmijët”, vijon Çano, psikologe në një prej shkollave 9-vjeçare në qytetin e Vlorës, e cila prej disa vitesh punon me nxënësit. Sipas psikologes, të rriturit nuk duhet të  gënjejnë në lidhje me frikën e tyre,  sepse fëmijët e ndiejnë kur dikush nuk tregohet i sinqertë.

Sipas Çanos, ka disa mënyra për të minimizuar traumën dhe përdorimi i tyre lidhet me moshën e fëmijëve dhe karakteristikat personale. “Në rastin e fëmijëve më  të  vegjël se 10 vjeç, vlen me tepër modeli që  përmenda më  sipër, sepse ata vete-rregullojnë emocione duke u bazuar tek modelet dhe jo ndërgjegjësimi nëpërmjet fakteve apo komunikimit verbal,  i cili mund të  jetë  më i vlefshëm tek fëmijët mbi 10 vjeç”, shpjegon psikologia, e cila sugjeron se me këtë grup fëmijësh,  mësuesit kujdestarë dhe shërbimi psiko-social shkollor duhet të  zhvillojnë takime në grup për shprehjen e emocioneve,  në  lidhje me ngjarjen dhe është mirë  që  për këtë grupmoshë të  përdoren arti dhe loja si teknika shprehëse.

Sipas psikologes, për personat me të prekur, ku përfshihen edhe të rriturit, mund të zhvillohen seanca individuale këshillimi dhe terapie.

“Fëmijëve më  të  rritur duhet t’u paraqiten fakte shkencore,  që lidhen me tërmetet (qe janë dukuri përgjithësisht të  rralla dhe pas një tërmeti të madh, lëkundjet e tjera janë më të vogla ne intensitet)”,  vijon Çano, duke sugjeruar disa  teknika shprehëse si diskutimi në grup, të shkruarit e një tregimi po eseje, etj. “Është e rëndësishme që  fëmijët dhe prindërit e tyre pasi kane diskutuar për traumën, të përfshihen në  aktivitete te tjera zbavitëse për të minimizuar nivelin e stresit”, përfundon Çano.

Me ndihmën e psikologëve, që në shkolla janë falas për fëmijët të cilët në vend që të flisnin apo të heshtnin me prindërit e tyre nga frika e një lëkundjeje tjetër, mund të mësonin në shkolla si ta tejkalonin traumën dhe disa fakte shkencore rreth tërmeteve.

Dy ditët e fundjavës treguan edhe mbizotërimin e frikës para arsyes dhe mungesën  e informacioneve që kanë qytetarët për  fenomenet natyrore, ndaj të cilëve mund të mësojmë vetëm disa teknika të thjeshta për t’u mbrojtur por nuk u ikim dot edhe duke marrë autostradat për kushedi ku, në mes të natës si  në ndonjë skenë filmi apokaliptik.

“Askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra, sepse siç nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet, dija njerëzore s’ka mundur ende të parashikojë kohëzgjatjen e jetës sonë. Por ne çohemi çdo mëngjes e vazhdojmë rrugën e jetës, pa menduar se atë ditë mund të na ndalë zemra dhe biem të flemë çdo natë, pa menduar se mund të mos e shohim ditën tjetër. E pra, po aq absurde sa mund të duket të jetosh nga mëngjesi në mbrëmje me idenë e fundit të jetës, është edhe frika se nga momenti në moment, mund të bjerë tërmet”, shkruante kryeministri në profilin e tij të Facebook-ut, duke shprehur se pasi u përballua më së miri, jeta vazhdon po njësoj. Jo tamam njësoj për ata prindër  që iu desh të linin sot orët e punës, për të qenë me fëmijët, të cilët nuk e ndjenë edhe aq atë solidaritet njerëzor për të cilin fliste kryeministri Rama, sepse iu desh të menaxhonin kaosin e krijuar nga çerdhet, kopshtet dhe shkollat e mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë