Ana e errët

Pse ma ngacmove të dashurën? Zvicerani refuzon sherrin shqiptar, kallëzon në polici

Sa grindje dhe sa ngjarje mund të kenë ndodhur për femra. Që  nga motivet më banale se përse e kishte parë, e deri se përse e kishte ngacmuar. Por për një të huaj pyetje apo sqarime të tilla janë të pakonceptueshme, edhe sikur ato të mos përfundojnë në grushte e në armë. Një i huaj që po darkonte në kryeqytet bashkë me partneren,  as që ka reaguar kur është gjendur para një situate të tillë. Përkundrazi kur “të fortët” i kanë kërkuar llogari, ai ka ruajtur qetësinë, por më vonë po me qetësi i është drejtuar policisë. Jo vetëm që ka kallëzuar aty, por ka mësuar agjentët se në ambientin ku e kishin prekur fizikisht, kishte kamera sigurie përmes të cilave mund të identifikoheshin personat që e kanosën.

Oliver Geggenhein është nga Zvicra. Por, në Shqipëri atë e solli e dashura e tij. Në verë, siç rezulton në dosjen që Gazeta “Si” disponon, 41-vjeçari qetësisht u ul në stolat e Komisariatit nr.4 dhe denoncimi i tij ishte specifikisht për dy tipa, që i trazuan qetësinë dhe çastet romantike me të fejuarën.

Geggenhein pohon se sapo ka mbërritur në Shqipëri, pasi kishte ardhur me pushime, është pritur në aeroportin e Rinasit nga e fejuara Erlinda.

Zvicerani: Pasi u takova atje me të fejuarën, shkuam drejt një kompleksi , të cilin e kishim prenotuar. Pasi u akomoduam në dhomën 301, çdo gjë shkoi mirë. Por, në datën 30, në mbrëmje  po darkonim, në një tavolinë tjetër gjendeshin dy persona mbase të moshës 25 dhe 30 vjeç. Njëri kishte veshur një bluzë të bardhë dhe kishte dhëmbët e prishur. M’u afrua dhe më preku te qafa dhe tha “Pse e ke ngacmuar femrën time që quhet Ilva” dhe i kërkoi të fejuarës që ta përkthente, e cila ma përktheu. E pyeta kamerierin se çfarë do ky person në tavolinën tonë dhe ai më tregoi që ata kanë dy orë që pinë kafe në një tavolinë tjetër.

41-vjeçari nga Zvicra saktëson se nuk njeh asnjërin nga kërcënuesit dhe se siç kishte konstatuar në lokal, aty ishin të instaluara edhe kamera të sigurisë.

Denoncuesi insiston se nuk i di ende motivet se përse i ndodhi kjo gjë dhe se nuk ka asnjë konflikt në Shqipëri. Gjithsesi, ai mendon se këtë incident policia do ta marrë aq seriozisht sa do hedhë dritë jo vetëm për kanosjen, por edhe për të kuptuar sherret shqiptare “përse më sheh dhe përse më ngacmon të dashurën”.

Pikërisht, grindja e fundit se përse ma ngacmove gruan ka ndodhur edhe në fshatin Zall Bastar. Por, policia dyshon se grindja është pak më me “spec”, pasi të dyja palët janë nga i njëjti fis dhe gruaja mund të jetë përdorur si shkëndijë sherri. Siç  rezulton nga mbledhja e fakteve nga policia e zonës, pikat mbi “I” i ka vendosur vetë gruaja, e cila quhet Hanife B. Gazeta “Si” ka mësuar dëshminë që ajo ka dhënë:

Hanifeja: Isha bashkë me fëmijët e vegjël dhe burrin, duke kullotur bagëtitë në vendin e quajtur “DRUJT E Conit”, kur aty ka ardhur edhe kunati. Ai futi në tokën tonë bagëtitë e tij dhe kur i kërkova ta largonte tufën, ai bërtiti duke më sharë. Mandej më qëlloi edhe me gurë.

Pikërisht nga nervat që “gruan ia kishin shqetësuar” familja ka gjetur mundësinë që të sigurojë një mjet, i cili e ka transportuar në Komisariat ku edhe kanë treguar se “në kullotën e tyre nuk mund të hyjnë bagëtitë e të tjerëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë